E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji “Për komunikimet elektronike” sipas standardeve të BE-së



Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dje në parim projektligjin “Për komunikimet elektronike”. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, përpunimi i ligjit për komunikimet elektronike do të sjellë disa risi të reja në shërbim të klientëve, duke përmirësuar dhe përafruar ndjeshëm tarifat e shërbimit celular, sipas standardeve të BE-së. Ky projektligj, bazohet tërësisht në paketën rregullatore të Bashkimit Europian, duke shënuar kështu përmbushjen e një detyrimi, që Shqipërisë i lind nga Marrëveshja e MSA-së. Në të njëjtën kohë, ky draft siguron të drejtën e çdo sipërmarrësi për të ofruar rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike, duke përmbushur vetëm kërkesat e autorizimit të përgjithshëm (ka zëvendësuar licencën), si edhe të autorizimit individual të nevojshëm vetëm në rastin e përdorimit të burimeve të fundme, pra frekuencave. Në ndryshim nga ligji aktual, projektligji parashikon një analizë të tregjeve dhe përcaktimin e sipërmarrësve me Fuqi të Ndjeshme në Treg, (AMC, Vodafone, Eagle Mobile, Albtelecom) si edhe vendosjen e detyrimeve përkatëse ndaj tyre, sipas direktivave dhe rekomandimet e tjera përkatëse të BE-së.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›