E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza pohon rrezikun e shembjes së godinës

10/12/2008  Godina e Juridikut

Një pjesë e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë i janë rikthyer procesit mësimor gjatë ditës së djeshme pas protestës trijavore kundrejt rrezikut të shembjes së godinës. Përkundrejt këtij fakti gjatë ditës së djeshme janë dhënë dhe konkluzionet e para nga grupi i ekspertizës që po analizon shkallën e rrezikshmërisë së godinës. Sipas tyre, çarjet e pësuara në ndërtesën e këtij fakulteti janë të një shkalle të rëndë, e cila nuk premton të qëndrojë edhe shumë pa rënë, çka do të vinte në rrezik jetën e studentëve, po të vazhdonte mësimi aty. Ndërkohë gjatë ditëve të ardhshme pritet të jepet një vendim nëse do të shembet e tërë godina si dhe në detajimin e analizës së plotë të ndërhyrjes që duhet realizuar në të. Ndërkohë zhvillimi i mësimit për studentët do të bëhet gjatë orëve të paradites në ambientet e ish-kinoklubit “Studenti”, ku do të zhvillohen orët e leksioneve, si dhe në orët e pasdites për zhvillimin e seminareve në ambientet e shkollës së mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi”. Megjithatë, një zgjidhje e tillë ende kundërshtohet nga studentët, veçanërisht ata të Shkencave Sociale. Këta të fundit kanë vendosur që për këtë vit akademik nuk do të derdhin taksën vjetore të shkollës derisa të gjendet zgjidhja e duhur për sistemimin e tyre në ambiente të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›