E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqet bruceloza, 2 të prekur brenda javës

10/12/2008  Dyshimi, sëmundja u mor nga produktet bulmetore dhe mishi. Në një vit 56 të prekur

BERAT-Sëmundja e brucelozës është rishfaqur sërish në qarkun e Beratit me dy raste të reja të të prekurve, pacientë të cilët dyshohet se e kanë marrë sëmundjen nga konsumimi i qumështit dhe nën produkteve të tij. Burime nga reparti infektiv pranë spitalit rajonal të Beratit bëjnë me dije se ditët e fundit është rishfaqur sëmundja e brucelozës ku brenda këtij viti numri i të prekurve prej saj ka shkuar në 56.

Të prekurit

Kanë qenë dy pacientë nga rrethi i Skraparit të prekur, të cilët ndodhen aktualisht pranë repartit infektiv për ndihmë mjekësore. Rasti i parë sipas mjekut infeksionit është regjistruar katër ditë më parë kur Kudret Bregu nga fshati Gjerbëz i rrethit të Skraparit ka mbërritur pranë këtij reparti në gjendje të rëndë shëndetësore. Pacienti 31-vjeçar mësohet se ishte prekur nga bruceloza gjatë kohës që punonte si emigrant në Greqi dhe pasi ishte kthyer pranë banesës konstatoi sëmundjen. Por, fillimisht pacienti mësohet të jetë kuruar në kushte shtëpi me mjekimin e farmacistit, gjë e cila mësohet se ka ndikuar mjaft në gjendjen e tij shëndetësore. Një mjekim të paspecializuar mësohet ta ketë marrë dhe në spitalin e qytetit të Çorovodës dhe vetëm katër ditë më parë ai mbërriti në gjendje të rëndë shëndetësore pranë repartit infektiv të Beratit. Mjeku infenksionist Ceca konfirmoi se pacienti ishte prekur nga bruceloza, por mungesa e një mjekimi të specializuar i kish shkaktuar komplikacione të mëdha, gjë e cila i vuri në rrezik jetën. Ai ndodhet aktualisht në repartin infektiv të Beratit nën mjekim intensiv, ndërkohë që mjeku deklaroi se gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar tashmë. Ndërkohë që një tjetër pacient po me sëmundjen e brucelozës është regjistruar dy ditë më parë. Hajdin Hajdini, 67 vjeç nga qyteti i Poliçanit mësohet se mbërriti pranë këtij reparti nën dyshimet e mjekëve të atjeshëm se ish prekur nga bruceloza. Pacienti ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet aktualisht pranë këtij pavijoni për kurim intensive. Mjeku Ceca pohoi se dy pacientët kanë pasur simptomat e temperaturës së lartë, djersës shoqëruar me erë, humbje të rezistencës, dhimbjes së kyçeve, etj. Ata kanë marrë ndihmën e parë shëndetësore, ndërkohë që do t’i nënshtrohen një mjekimi intensiv që zgjat plot 42 ditë. Sipas mjekut, pacientët dyshohet ta kenë marrë sëmundjen si pasojë e neglizhencës së krijuar në konsumimin e produkteve bulmetore dhe mishit. Ndërkohë që burime nga Drejtoria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve bëjnë me dije se menjëherë pas marrjes së informacionit inspektorët në terren kanë kryer vaksinimin e bagëtive në fshatin e Gjerbës dhe kanë ushtruar kontrolle në tregtimin e mishit në qytetin e Poliçanit. Por, sipas burimeve nga kjo drejtori, problem vazhdon të mbetet fondi ende i papërballueshëm për vaksinimin e bagëtive nga bruceloza. Gjithsesi në këtë qark situata është mjaft problematike pasi shpesh paraqiten në spital të infektuar me brucelozë. Shqetësimi bëhet dhe më i madh nga neglizhenca e vetë pacientëve, të cilët përveçse konsumojnë produkte jo të sigurta më pas kurohen dhe në shtëpi duke komplikuar më tej gjendjen e tyre shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›