E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertiza zbardh dhunën ndaj 3 policëve në Himarë

• Hetimi i ngjarjeve të fundit në Himarë, tashmë është tërësisht në dorë të Prokurorisë të Vlorës si dhe të SHKB-së, me qëllim zbardhjen e përgjegjësisë së personave, që akuzohen si dhe të dy punonjësve të policisë për ngjarjen e datës 10 prill.

HIMARE/ QEMAL BIRAKU

 Sipas burimeve, policia tashmë është në pritje të vendimeve që do të marrë Prokuroria, e cila ka në dorë hetimin e çështjes për banorët e implikuar në protestën e ndodhur përpara komisariatit dhe për ata persona të cilët dhunuan, goditën e fyen efektivët e policisë së Himarës si dhe kanë hedhur parulla antishqiptare. Ndërsa për shkeljet e pretenduara se kanë bërë punonjësit e policisë, hetimet po i kryen Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bazë të kallëzimit për dhunim të Erion Rrapit e Manolo Zotos. "Ne jemi palë në gjykim, - është shprehur drejtori i policisë së Vlorës, Vehbi Bushati, - pasi ndaj efektivëve të policisë është bërë një padi, e cila po hetohet. Ky ka qenë shkaku pse ne si drejtori policie kemi kërkuar të mos jemi pjesë e hetimit për të mos paragjykuar këtë çështje". Dje, tre efektivët e policisë kanë dorëzuar raportet e tyre me shkrim rreth ngjarjes dhe dhunimit të tyre, ndërsa SHKB-ja ka marrë po dje raportet mjeko-ligjore të tyre, sipas të cilëve policët duhet të qëndrojnë 8 ditë regjim shtrati. Ndërsa Prokuroria e Vlorës ka tashmë të gjitha provat që i duhen për hetime, që nga filmimet që përfshijnë: Tubimin e banorëve, gurët që janë hedhur prej tyre drejt rajonit të policisë, gëzhojat e armëve të zjarrit si dhe parullat antishqiptare. Janë marrë dëshmi e të tjera të dhëna nga të cilat pritet të ketë të tjerë emra banorësh, përveç atyre 7 të deritanishëm që kanë dalë nga ky hetim. Sipas Prokurorisë, mund të ketë të tjerë urdhër-arreste në të ardhmen për dhunë ndaj policisë dhe tubim të paligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›