E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testimi për pagat e mësuesve, 431 kalojnë "me paterica"

• Vetëm 382 mësues janë vlerësuar me "shumë mirë", nga 2288 kandidatët e testuar me shkrim për rritjen e kategorisë dhe shtesën në pagë.

"Mirë" janë paraqitur 1441 prej tyre, ndërsa plot 431 arsimtarë kanë mundur të kalojnë me paterica pasi janë vlerësuar "mjaftueshëm". Testin nuk kanë arritur ta kalojnë 34 kandidatë. Këto janë rezultatet e bëra publike dje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. "Shkallën e kualifikimit do ta përfitojnë rreth 98.5% e arsimtarëve që iu nënshtruan provimit", pohoi ky dikaster. Çka do të thotë se sipas viteve të punës do të përfitojnë nga 10-20% rritje page. Për të dytin vit radhazi MASH ka ndërmarrë këtë reformë, me synim dhënien e pagës sipas meritës për arsimtarët. Provimi i mësuesve është bërë me të njëjtat rregulla si për nxënësit që i nënshtrohen Maturës Shtetërore. "Eshtë një proces transparent që u ka dhënë fund abuzimeve me shkallën e kualifikimit", kanë pohuar drejtuesit e ministrisë. Këtë vit të gjithë mësuesit u pajisën shumë kohë përpara testimit me programe kualifikimi, me literaturë profesionale. Risi është cilësuar portofoli i zhvillimit profesional, ku të gjithë mësuesit, për tre muaj me radhë u morën në mënyrë individuale me përgatitjen e tij.
Kjo dosje personale përmbante të gjithë të dhënat për secilin, bashkë me trajnimet dhe kualifikimet përkatëse. "Eshtë një praktikë shumë e njohur perëndimore, e cila në vendin tonë aplikohet për herë të parë. I gjithë ky proces u dha siguri mësuesve për të marrë pjesë në testimin e fundit, ku pjesëmarrja është më e lartë këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar", bën me dije MASH. Sipas këtij dikasteri, një element tjetër i rëndësishëm ka qenë vëzhgimi dhe vlerësimi i orëve mësimore të mësuesve, që kualifikohen sivjet si nga drejtuesit e shkollës, por dhe nga inspektorët lokalë. "Kjo reformë buron nga strategjia e zhvillimit. Qëllimi i strategjisë ka në thelb nxitjen e mësuesve për t'u trajnuar dhe kualifikuar vazhdimisht, duke u bazuar në standarde profesionale", u shpreh dje gjatë një konference për shtyp drejtori i Institutit të Kurrikulave dhe Trajnimit (IKT), Robert Gjedia.

Rezultatet

U testuan
2288 kandidatE
     98.5% do t'u rriten       
     pagat nga 10-20%
 382 u vlerësuan "shumë mirë"
  1441 u vlerësuan "mirë"
 431 u vlerësuan "mjaftueshëm"
      34 nuk kaluan
testimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›