E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza,“Ben Qimja” padit Prokurorinë

TIRANE - Përmes avokatit të tij, biznesmeni Arben Isufaj ka paditur Prokurorinë e Shkallës së Parë të Tiranës dhe atë të Apelit lidhur me aktin e ekspertimit të gjurmëve të tij të gishtave, që pretendohet se është bërë në Angli. 

 Në padinë e tij të dërguar në adresë të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe Kryeprokurorit të Tiranës Genti Xholi, i arrestuari Arben Isufaj pretendon se Prokuroria ka filluar një procedim penal të paligjshëm ndaj tij, si dhe ka falsifikuar aktin e ekspertimit të gjurmëve të gishtave, një provë e re që u paraqit në Gjykatën e Apelit të Tiranës pak ditë më parë. Gazeta "Panorama" ka siguruar një kopje të vendimit të Prokurorisë së Tiranës për kryerjen e ekspertimit të gjurmëve të gishtave të Arben Isufajt në Angli. Vendimi mban datën 11 qershor 2008 dhe kërkon nga një eksperte të Degës së Gjurmëve të Gishtave në zyrën e policisë londineze Scotland Yard kryerjen e verifikimit të shenjave të gishtave të "Ben Qimes". Bëhet fjalë për gjurmën e gishtit të madh të dorës së majtë të biznesmenit 47-vjeçar të arrestuar rreth një muaj më parë në Tiranë. Mirëpo vetëm një ditë pas vendimit të Prokurorisë së Tiranës për kryerjen e ekspertimit të shenjave të gishtave të biznesmenit, çuditërisht brenda 24 orëve, në dosjen penale është administruar një përgjigje e ekspertizës që pretendohet se është kryer në Angli. Përgjigja e pretenduar se ka ardhur nga Anglia mban datën 12 qershor, vetëm një ditë pasi Prokuroria e Tiranës me një vendim prej katër faqesh kërkoi realizimin e verifikimit të shenjave të gishtave. Duke analizuar rastin në padinë e tij, përfaqësuesi ligjor i Arben Isufajt pretendon se është e pamundur që brenda një dite kërkesa e Prokurorisë shqiptare të dërgohej në Ministrinë e Drejtësisë, të përkthehej, të nisej për në Angli, atje të bëhej ekspertiza dhe përgjigjja të vinte në Tiranë, të përkthehej e më pas t'i dorëzohej Prokurorisë shqiptare brenda një afati kohor prej vetëm 24 orësh. Sipas procedurës ligjore, letërporosi të tilla zgjasin me disa ditë, pasi materialet duhet të përkthehen e më pas të dërgohen tek autoritetet e huaja, të cilave u duhen disa ditë të analizojnë gjurmët e të arrijnë në një përfundim. Me këtë ekspertizë të shenjave të gishtave, që në padinë e Isufajt pretendohet se është falsifikuar, Prokuroria ka kërkuar mbajtjen e biznesmenit në burg duke e akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e shtetasit Pirro Koçia i ekzekutuar në Tiranë më 12 gusht 2002. Në vendin e krimit u sekuestruan dy armë, tip pistoleta dhe në njërën prej tyre pretendohet se janë gjetur gjurmët e Arben Isufajt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›