E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vrasësi i arratisur të ekstradohet në Shqipëri"

Afrim Sinani, i arratisur nga burgu i Bënçës 11 vjet më parë do të ekstradohet nga Anglia. 

Mediat britanike pohuan dje se gjykatat londineze, pas një procesi maratonë, pranuan kërkesën e autoriteteve shqiptare të drejtësisë për dërgimin e 34-vjeçarit nga Kukësi me pranga në Shqipëri, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit me 20 vjet burg për vrasje. Sipas burimeve të policisë shqiptare, arrestimi i Sinanit është bërë në Londër, kur Metropolitan Police, ose thënë ndryshe Zyra e Ekstradimeve në Londër, ka njoftuar në adresë të Zyrës Qendrore të Interpol Tiranës se më 19 dhjetor 2006, në Ilford Essex është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, shqiptari Afrim Sinani, lindur më 10 gusht 1974 në Shemri-Kukës. Në shtetin anglez, ky person kishte mundur të maskohej për shumë kohë nën identitetin e rremë Afrim Kulaj, me ditëlindje 8 tetor 1974, lindur në Kosovë. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare të drejtësisë e policisë, sepse Gjykata e Shkallës së Parë në Kukës, me vendim të datës 29 tetor 1996, e ka shpallur fajtor për veprat penale të "vrasjes me dashje" dhe "armëmbajtjes pa leje", për të cilat është dënuar me 20 vjet burg. Sipas gjykatës Sinani, është gjetur fajtor për vrasjen e një të afërmi të vet të quajtur Naim Sinani. Pas marrjes së dënimit ai është dërguar në burgun e Bënçës në Tepelenë për ta vuajtur atë, por duke përfituar nga rrëmujat e vitit 1997, ai është arratisur që andej, ndërsa pak kohë më vonë ka përfunduar në Angli, ku fshihej nën një identitet të rremë kosovar. Pas arrestimit në Londër, ai ka pretenduar se ishte amnistuar nga shteti shqiptar dhe se nuk kërkohej nga autoritet shqiptare. Për të vërtetuar këto ai paraqiti në gjykatë dy prova të konsideruara të rëndësishme nga mbrojtja: dëshminë e avokates së tij që e ka mbrojtur në Kukës në vitin 1996; si dhe një kasetë filmike e vitit 1998 ku paraqitej në Tiranë, mes kosovarëve të shpërngulur nga lufta. Nëpërmjet dëshmisë së avokates ai u përpoq të bindte gjykatën se, ndaj tij ishte ushtruar dhunë për të pranuar krimin. Kurse nëpërmjet pamjeve të transmetuara nga TVSH pretendoi se, nuk kërkohej nga policia pasi lëvizte lirshëm nëpër Tiranë. Por edhe pas këtyre gjykata vendosi ekstradimin e tij, ndërsa tani pritet vetëm data kur do dërgohet me pranga në Rinas.                                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›