E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtet e bankave rrisin të ardhurat për sigurimet

Një ndër kushtet kryesore që duhet plotësuar për të marrë një kredi është sigurimi i jetës pranë kompanive të sigurimit. 

FABIOLA ÇELA

 Pikërisht një kusht i tillë i vendosur nga bankat e nivelit të dytë, ka ndikuar në rritjen e të ardhurave për kompanitë e sigurimit. Kjo pasi siç dihet tashmë, shumë konsumatorë janë të interesuar për të marrë kredi, por për të realizuar këtë, më parë duhet të sigurohen për jetën e tyre. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, deri në fund të muajit qershor vëllimi i primeve të sigurimit të jetës ishte rreth 259 milionë lekë, me një rritje prej 39.55 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por peshën më të madhe prej rreth 69.85% në të ardhurat e sigurimit të jetës e zë produkti "Jetë Debitori", dhe kjo si rrjedhojë e kërkesës së bankave të nivelit të dytë, për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.
Tregu
Deri në fund të muajit qershor tregu i sigurimeve vazhdon të jetë i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91.94 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8.06 %. Konkretisht gjatë kësaj periudhe numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 280,075, duke shënuar një rritje prej rreth 14.55% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 3,210 milionë lekë, shifër kjo 18.19 % më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007.
Dëmet
Ajo çka të bie në sy në raportin e publikuar nga AMF., është rritja e dëmeve të papaguara nga kompanitë e sigurimit. Sipas të dhënave zyrtare, totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në gjashtëmujorin e parë te vitit 2008 ishte rreth 640 milionë lekë, ose 17.60% më pak se në janar-qershor të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil", ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto  nga shoqëritë e sigurimit me rreth 46% dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 35.42% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2007.

Tregu i sigurimeve

3,210 milionë lekë të ardhurat bruto 1,362 milionë lekë të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme 468 milionë lekë të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil 83 milionë lekë primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar 259 milionë lekë vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës 640 milionë lekë totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›