E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia, 4 vetë vdesin nga korrenti

Tensioni i lartë merr jetën e katër punëtorëve, të cilët po hapnin një pus. 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Tragjedia ndodhi dje në fshatin Hingë të komunës Poshnjë në Berat, kur tubi i sondës që do të shponte tokën, hasi në linjën e tensionit të lartë, duke karbonizuar katër viktimat. Policia e Beratit e cila shkoi në vendin e ngjarjes bëri të ditur se, punëtorët që mbetën të vdekur në tentativë për të hapur pusin janë: Xhevahir Rrëbeshi, 55 vjeç i cili ishte dhe i zoti i shtëpisë ku do hapej pusi, si dhe tre punëtorët nga Lushnja,  Xhevahir Bahaj 42 vjeç, Agron Pepa, 42 vjeç dhe Hekuran Hekurani 50 vjeç.
NGJARJA
Që në orët e para të mëngjesit, Xhevahir Rrëbeshi dhe tre punëtorët që kishin ardhur nga Lushnja kanë vijuar punën për hapjen e pusit. Rrëbeshi, babai i katër fëmijëve, sapo kishte përfunduar shtëpinë e re. Ai nuk kishte asnjë mundësi tjetër për të çuar ujë në shtëpinë e tij, ndaj dhe do të hapte pus në oborr të shtëpisë, ashtu sikurse edhe bashkëfshatarët e tjerë të Hingës. Rreth orës 08:00 kanë nisur të instalojnë pajisjet dhe sondën për shpimin e pusit. Megjithëse kishin disa vite që punonin, tre punëtorët e ardhur nga Lushnja, Bahaj, Pepa dhe Hekurani, dispononin një sondë primitive që përdorej me dorë duke rrotulluar volantin, që në përbërje kishte të montuar një turjelë që hapte tokën në thellësi. Në momentin që ata po ngrinin në hapësirë elementët përforcues me gjatësi të madhe prej hekuri, tubi ka rënë në kontakt me telat e linjës së tensionit të lartë, 6 mijë kilovat që vinte nga Lushnja për në komunën e Poshnjës. Përfundimi ishte tragjik. Tre punëtorët bashkë me të zotin e shtëpisë ku do hapej pusi kanë mbetur të karbonizuar.
VIKTIMAT
Tre punëtorët nga fshatrat e Lushnjës punonin ku të gjenin mundësi. Xhevahir Bahaj, 42 vjeç nga fshati Delisufaj, Agron Pepa, 42 vjeç nga fshati Fiershegan dhe Hekuran Hekurani, 50 vjeç nga fshati Hallkaj, njiheshin jo vetëm në Lushnjë, por edhe në zonat përreth si specialistë të mirë për hapjen e puseve. Duke qenë se ata jo gjithnjë kishin punë në rrethinat e Lushnjës, pranonin të shkonin edhe në rrethe të tjera, mjafton që të punonin dhe të fitonin para për bukën e fëmijëve të tyre. Mësohet se Xhevahir Bahaj kishte tre fëmijë, Agron Pepa, dy fëmijë dhe Hekuran Hekurani 5 fëmijë. Ata ishin larguar prej dy ditësh nga shtëpitë e tyre, pasi nuk mund të përballonin shpenzimet e rrugës dhe lodhjen e punës për hapjen e pusit. I zoti i shtëpisë u kishte siguruar fjetjen, kështu që derisa të mbaronin punën që kishin nisur prej dy ditësh, tre punëtorët lushnjarë do të qëndronin në fshatin Hingë. Në fund të punës, shpërblimi i punës së tyre sipas familjarëve të viktimave ishte 25 mijë lekë.
BANORET
Disa banorë që janë ndodhur duke punuar arat disa metra më larg vendit ku ndodhi ngjarja, tregojnë skenën e kësaj tragjedie. Sipas tyre, sapo tubi i sondës ka hasur në tension të lartë, të katër punëtorët janë përplasur në drejtime të ndryshme me gjatësi të mëdha. Ata kanë pësuar deformime dhe nxirje trupore deri në karbonizim. "Pamë një shkëndijë të madhe të shoqëruar me tym. Kur shkuam në vend, gjetëm viktimat të deformuar e karbonizuar", tha një nga banorët e fshatit. Të njëjtën gjë pohoi edhe Refat Rrëbeshi, një nga dëshmitarët që është ndodhur sërish afër vendit të ngjarjes. "Pashë kur doli tym i zi dhe flakë e shkëndijë e fortë që të shkërmonte sytë. Tubi në momentin që ata po e ngrinin në hapësirë, preku linjën e tensionit. Telat kishin marrë pak hark, por gjithsesi, tubi i sondës ishte shumë i gjatë". Në fakt, si familjarët e viktimave, ashtu edhe banorët e fshatit janë shtangur nga kjo ngjarje. Ata habiten se si mund të ndodhte një tragjedi e tillë, pasi viktimat ishin profesionistë të kësaj pune. Banorët thonë se, në këtë fshat janë shpuar 100 puse të tillë. Trupat e viktimave janë përcjellë në morg, ndërsa policia e Beratit bëri të ditur se, ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Paraprakisht grupi hetimor sqaroi se, ngjarja ka ardhur si pasojë e një kontakti të elementëve prej hekuri me tensionin e lartë. Policia pasi mori në pyetje edhe të afërmit e viktimave tha se, ngjarja është shkaktuar si pasojë e moszbatimit të rregullave të sigurimit teknik dhe ka qenë aksidentale.

Fshati, 11 vite pa ujë

Fshati Hingë, me 1 500 banorë ndodhet rreth 35 kilometër larg qytetit të Beratit. Prej 11 vjetësh fshati vuan për uëj të pijshëm dhe për të zgjidhur këtë problem jetësor banorët kishin nisur ndërtimin e puseve në mënyrë primitive. Ujësjellësi i Banajt që furnizonte fshatin u shkatërrua në vitin '97. Estref Hima, banor i këtij fshati u shpreh se, deputeti i zonës, Marko Bello, u kishte premtuar për ujin, por se nuk e kishte mbajtur këtë premtim. Problematikën me ujin e pijshëm e pohoi dhe kryekomunari Meleq Lila. Ai tha se, nuk ka fonde për ujësjellësin. "I kemi paraqitur projektin ministrisë përkatëse, por gjithçka ka përfunduar në vesh të shurdhër", u shpreh ai. Situata më e dhimbshme është për Arjan Rrëbeshin, vëllai i viktimës. "U mundua të çonte ujin e pijshëm në banesën e re që nuk e gëzoi dot. Kërkoi tre punëtorë specialistë për të hapur pus rreth 10 metra thellësi. Ishte i varfër, pa asnjë të ardhur. Ato lekë që kishte ndërtoi shtëpinë. Më mbetet që ta ndihmoj familjen e tij, që t'i rriten fëmijët", shprehet ai.                                                           d.xh

Familja Pepa: Iku para 2 ditësh
LUSHNJE - Mes lotësh dhe dhimbjesh Lumturi Pepa, bashkëshortja e viktimës, Agon Pepa, dje priste para morgut të Lushnjës të merrte trupin e të shoqit. "Kishte dy ditë që kishte ikur në punë bashkë me dy shokët e tjerë, me të cilët punonte gjithmonë. Ata zakonisht ktheheshin brenda ditës, por meqë ishin larg, fjetën tek i zoti i shtëpisë që po hapte pusin. Tani mbetëm në rrugë të madhe. Agroni më mbante mua dhe dy fëmijët, që tashmë mbetën jetimë. Ku të shkoj unë e mjera", thotë bashkëshortja e viktimës, e cila nuk i mban dot lotët. Ajo ende nuk e beson se si ndodhi shkarkimi i energjisë kur i shoqi kishte pasur përvojë në çeljen e puseve.  m.r.

Vajza e Hekuranit: S'arrij ta besoj
LUSHNJE - Vajza 16-vjeçare e Hekuran Hekuranit nuk e mban dot veten, ndërsa pret me familjarët e saj për të tërhequr trupin e të atit. "Nuk arrij ta besoj, vetëm pak minuta para se të ndodhte tragjedia, babai më mori në telefon dhe më tha se jam mirë", thotë ajo. Ndërsa motra e viktimës tregoi se, edhe më parë i vëllai kishte rrezikuar jetën, por se vijonte të punonte pasi nuk kishte asnjë mundësi tjetër jetese. "Përpara një muaji më tregoi vetë Hekurani se ai bashkë me një punëtor tjetër kishin shkuar në një fshat të thellë të zonës së Lushnjës, nga ku desh kishin mbetur të vdekur. Kishte shpërthyer uji krejt papritur, duke i gjetur të papërgatitur brenda në pus. Megjithë këtë ngjarje, ai e vijoi punën, dhe ja si përfunduan", u shpreh ajo. m.r.

Gruaja e Bahajt në gjendje shoku
LUSHNJE - Bashkëshortja e Xhevahir Bahajt ishte bashkë me fëmijët tek një i afërmi i saj, kur e kanë marrë në telefon që të shkonte në shtëpi. Me paradjenjën se diçka e keqe do të kishte ndodhur, Marjeta është përballur me të afërmit e saj, të cilët i dhanë dhe lajmin e kobshëm për të. "E lajmëruam në celular që të vinte në shtëpi, pa i thënë se ç'kishte ndodhur, pasi nuk kishte marrë vesh gjë. Ajo e alarmuar bashkë me fëmijët e vegjël erdhi në shtëpi, ku ishin mbledhur shumë njerëz. Kur tezja e vet i tregoi se Xhevahiri kishte vdekur, i ra të fikët dhe u detyruam ta çonim në spital. Një orë më pas e ka marrë veten dhe doli nga spitali, por tani është në gjendje shoku", tha një e afërme e familjes në të cilën ndodhi tragjedia. m.r.

Viktimat

Xhevahir Rrëbeshi, 55 vjeç, nga Berati Xhevahir Bahaj, 42 vjeç nga Lushnja Agron Pepa, 42 vjeç nga Lushnja Hekuran Hekurani, 50 vjeç nga Lushnja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›