E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të burgosurit, kërkesa në ministri për të vazhduar shkollën

06/01/2005  TIRANË – Megjithëse kanë bërë një krim, janë penduar dhe dëshirojnë të rikthehen në shkollë. Shembullin e Elis Matjas, 17-vjeçari që në vitin 2000 krahas dënimit kryente edhe gjimnazin e lënë përgjysmë, duan ta ndjekin të dënuar të tjerë. Një 19-vjeçare që, aktualisht, vuan dënimin në Burgun 325, ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë të vazhdojë shkollën. Një kërkesë kjo e dënuar, ia ka nisur edhe shkollës, por ka marrë përgjigje negative. Vajza është treguar e gatshme që paradite të vazhdonte shkollën rregullisht dhe pjesën tjetër ta kalonte në burg. Ndërkohë që, ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, i ka dhënë zemër, duke i thënë se shkollën mund ta ndjekë me shkëputje. Vajza ka protestuar dhe është ankuar për përgjigjet negative që i ka sjellë drejtoria e shkollës. Ajo vuan dënimin për krimin e vrasjes. Ndërsa ka shpjeguar se nuk mund të distancohet nga shkolla për një krim, të cilin e ka kryer dhe po përgjigjet në bazë të ligjit. Vajza e pranon fajin, por nuk pranon diskriminimin nga shoqëria dhe nga mësuesit e nxënësit e shkollës. Të dënuarit e mitur, kryesisht duan që të gjithë të vazhdojnë shkollën. Por nga Drejtoria e Burgjeve del përgjigjja se është i pamundur mbulimi me forca. Në dhjetor të vitit 2000, nxënësi i shkollës "Myslym Keta" në Kombinat, vuante dënimin me dy muaj burg për akuzën e vjedhjes. Me dëshirën e tij dhe me ndihmën e avokatit Sajmir Visha, ai arriti të bindë drejtorin e shkollës dhe mësuesit për të vazhduar vitin shkollor. Kështu u bë. Një gjë e tillë u përkrah nga disa, ndërkohë që pjesa tjetër flisnin keq, duke e quajtur të burgosur dhe njeri që mund të prishë shoqërinë. Por, Elisi këmbënguli dhe tashmë ai ka përfunduar shkollën e mesme. Dëshirë për të vazhduar shkollën kanë edhe të miturit që vuajnë dënimin në Burgun e Vaqarrit. Megjithatë deri tani nuk është gjetur një zgjidhje. E vetmja e drejtë dhe mundësi që u është afruar këtij kontigjenti të dënuarish, janë kurset e gjuhëve të huaja dhe një bibliotekë. Herë pas herë në këtë burg futen edhe mësues për të shpjeguar lëndët më problematike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›