E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lavdërim Tufa, dy ditë me kriza në veshka

06/01/2005  TIRANË – Nuk u paraqit në seancë gjyqësore. Madje, nuk ka arritur as të nënshkruaj për vazhdimin e procesit, përfaqësuar nga avokati Ferdinand Doja. Para gjykatës nuk është paraqitur asnjë raport mjekësor, që të vërtetojë se Lavdërim Tufa është i sëmurë. Megjithatë, avokati mbrojtës i bëri të ditur dje gjykatës se, në orët e para të mëngjesit, para se policia të shkonte për të marrë Tufën për në gjyq, ka marrë takim me të. Sipas avokatit, klienti i tij, që prej dy ditësh vuan nga krizat në veshka. Ai ka kërkuar të transferohet në Spitalin e Burgut për t'iu nënshtruar një ekoje, por deri dje një veprim i tillë nuk është kryer. Avokati tha dje gjatë seancës gjyqësore se në repartin 313-të, ku qëndron Lavdërim Tufa, është paraqitur një mjek, i cili ka bërë vizitë të hollësishme dhe ka konstatuar se i pandehuri ka kaluar kriza të forta në veshka. Duke qenë se letra për vazhdimin e procesit nuk ishte e firmosur nga vetë i pandehuri, gjykata u detyrua të shtyej seancën gjyqësore për në datën 17 janar. Ferdinand Doja nuk pranoi të vazhdonte seancën, pasi klienti që ai përfaqëson nuk i kishte dhënë të drejtën. Letra e ardhur nga toga e shoqërimit në adresë të gjykatës, ishte firmosur nga policët e Burgut 313-të. Ndërkohë që i pandehuri, me gojë kishte deklaruar mungesën në seancën gjyqësore. Lavdërim Tufa akuzohet për vrasjen e Fatmir Ramës në 29 mars 2003. Nga të gjitha analizat e kryera në Itali, ka rezultuar se Lavdërim Tufa është vrasësi i vërtetë. Përgjigjja e ADN-së bëri që palët në proces të irritohen dhe të kërkojnë disa herë ballafaqime me ekspertët para trupit gjykues. Ekspertja e fundit, sjellë nga Londra me fondet e gjykatës, i vuri vulën të gjitha hamendjeve të thëna në proces. Megjithatë, avokati Ferdinand Doja këmbëngul se klienti i tij është i pafajshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›