Paraburgimi, kushte të pamjaftueshme për të kaluar me burgjet
06/01/2005 TIRANË – Përveç Vlorës dhe Durrësit asnjë komisariat tjetër nuk mund të kalojë së afërmi në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Verën e vitit të kaluar, ministri Fatmir Xhafa deklaroi se shumë shpejt paraburgimi do të kalojë në varësi të burgjeve. Por me sa duket këto fjalë kanë qenë të pastudiuara. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve jepet tjetër përgjigje. Komisariatet nuk mund të kalojnë në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi kushtet janë skandaloze. Një gjë e tillë mund të bëhet vetëm pasi të jenë rregulluar dhomat e të paraburgosurve, dritaret me hekura si dhe ajrimi. Dihet, aktualisht, se të paraburgosurit si në rrethe, ashtu dhe në Tiranë, në komisariate qëndrojnë në kushte të papërshtatshme. Mbipopullimi është një nga vështirësitë, duke vazhduar më tej me ajrimin si dhe ushqimin e pakët. Sipas drejtorit të ri të burgjeve, Engjëll Hysi, paraburgimi nuk është gati të kalojë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Ky kalim mund të bëhet në një fazë të mëvonshme. Edhe komisariati i Vlorës e Durrësit që, aktualisht, janë në varësi të burgjeve, kanë kushte skandaloze. Dhomat janë të vogla. Në to qëndrojnë më shumë se dhjetë të paraburgosur. Ajrimi mungon, ndërsa lagështira ka zaptuar muret. Megjithëse flitet shumë deri tani, gjithçka është bërë për të mbetur në letra. Për të gjitha të metat dhe problemet që ka gjetur në burgje, drejtori i ri Engjëll Hysi do të flasë në analizën vjetore. Kjo analizë do të shërbejë edhe për të përcaktuar prioritetet e punës për vitin që sapo ka filluar.