E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksploziv banesës së kandidatit PS, Koka: Ngjarja me sfond politik

TIRANE- Një tjetër incident në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet vendore të 8 majit është shënuar në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer pranë banesës së kandidatit të Partisë Socialiste për njësinë numër 7 në Tiranë, Erion Koka.

Eksplozivi, dyshohet i llojit tritol, ishte vendosur në sheshpushimin e katit të katërt të apartamentit parafabrikat pranë shkollës 9 vjecare “Naim Frashëri”. Shpërthimi ka shkaktuar panik dhe ankth jo vetëm tek familja e kandidatit socialist Erion Koka, por dhe të banorëve të tjerë të pallatit.

Sipas vetë kandidatit socialist, Erion Koka ka qenë ora 01: 40 minuta të mëngjesit të sotëm, ( e hënë) kur ishte dëgjuar shpërthimi dhe të gjithë ishin ngritur të tmerruar.

“Rreth orës 02 pa 20 ndodhi shpërthimi. U ngritëm të tmerruar pasi sapo kishim rënë në gjumë. Kur u ngritëm nuk shikonim gjë tjetër vecse tym blozë, një situatë kaosi.”- tregon momentet e para menjëherë pas shpërthimit Erion Koka.

Të gjithë familjarët, dy prindërit e kandidatit PS-së, bashkëshortja e tij dhe dy djemtë kanë qenë në gjumë kur kanë dëgjuar shpërthimin dhe janë ngritur të tmerruar.

“ As nuk po merrnim vesh se cfarë kishte ndodhur: Dolëm në korridor, i cili ishte mbushur me tym të zi e blozë. Pamë që dera ishet shpërthyer, përsëri nuk po e merrnim dot vesh se cfarë kishte ndodhur. Pas disa minutash arritëm të kuptonim se kishte ndodhur një shpërthim”- vazhdon rrëfimin Erion Koka.

Ai tregon se sasia e tritolit ishte vendosur poshtë derës së jashtme, vetëm pak centimetra larg derës. Në vendin ku ishte vendosur eksplozivi, i cili sipas kandidatit PS, ishte tritol, pllakat e shesh pushimit, ishin dëmtuar, gjithashtu ishin dëmtuar dhe pak pllakat e banesës së tij si dhe dera e jashtme.

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, vetëm dëme materiale, por nëse sasia e tritolit do të kishte qenë më e madhe, shpërthimi mund të kishte qenë vërtet tragjik

“Gati 1 metër larg nga dera fle djali im i vogël, por shyqyr zotit nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi”- tregon i shqetësuar Erion Koka, i cili edhe në momentet kur fliste për mikrofonin e gazetarit Spartak Koka të NEWS24 nuk kishte asnjë lloj dyshimi se kush mund të ishin autorët, dhe e vetmja gjë që i shkon në mëndje është arsyeja politike, “kandidimi im”

. “Edhe tani nuk kam asnjë lloj dyshimi sepse praktikisht nuk kam pasur dhe nuk kam ndonjë lloj konflikti. Unë nuk jam njeri që gjeneroj konfliktet. Jam shumë i habitur, dhe akoma nuk po gjej dot shkaqet e mundshme. E vetmja gjë që më shkon në mendje është arsye politike, kandidimi im. Deri ditën që unë nuk isha kandidat nuk kam pasur kurrë asnjë lloj problemi, as në lagje as në punë dhe asnjë lloj profili të jetës sime.”

Pyetjes nëse ju e lidhni shpërthimin me kandidimin e tij në njësinë numër 7, Koka i është përgjigjur: "Është absolutisht e vërtetë. E vetmja, pistë, mundësi për të cilën unë mund të kem një problem të tillë. Sic ka ndodhur dhe në rastet e më pashme , ky është incidenti i radhës"

Policia ka mberritur ne vendngjarje dhe ka nisur hetimet për këtë incident të rradhës të fushatës elektorale, që vjen një dite pas dy incidenteve të tjera që u shënuan në Kamëz dhe Pogradec
(balkanweb) Lidhje te tjera FOTO: Foto nga banesa e dëmtuar VIDEO: Eksploziv banesës së kandidatit PS, Koka: Ngjarja me sfond politik

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›