E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Berisha përballja në Gjykatën e Lartë, më 5 maj

TIRANE- Vetëm 3 ditë para zgjedhjeve vendore Gjykata e Lartë do të shqyrtojë ankimimin e kreut të PS, Edi Rama, i cili kërkon shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillimin e procedimit penal për akuzat e Ramës kundër Berishës për shpifje dhe fyerje.

Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Lartë gjatë një seance të shkurtër ku avokatët e liderit socialist Edi Rama, Agim Hysi dhe Arjan Salati kanë paraqitur sot kërkesën përmes së cilës kërkohet shfuqizimi i vendimit të prokurorisë së Përgjithshme. Kryeministri Berisha është përfaqësuar në gjykatë nga avokatja Erinda Ballanca .

Objekt i çështjes janë akuzat e rënda që kryeministri Berisha hodhi ndaj kryebashkiakut në një nga seancat plenare të Kuvendit që u mbajtën në muajin nëntor 2009, të cilat sipas prokurorisë nuk përbëjnë vepër penale. Në seancën e sotme vetëm sa është vendosur data 5 maj dhe gjatë kësaj kohe do të verifikohet nëse kërkesa e lideri të opozitës është dorëzuar brenda afateve kohore të përcaktuara nga ligji apo jo. Nëse do të rezultojë se kërkesa është dorëzuar brenda afateve ligjore atëherë gjykata do të nisë shqyrtimin e kërkesës
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›