Sherr për xhelozinë, burri vret gruan me thikë
Një 40-vjeçar ka qëlluar për vdekje gruan e tij, pas një sherri që ka nisur për motive xhelozie. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në qytetin e Tiranës. Sipas burimeve nga policia, autori Shpëtim Zhllima ishte në gjendje të dehur dhe pas një debati me të shoqen, Nafijen, e ka qëlluar atë me thikë disa herë në trup, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Edhe pse ndaj viktimës është dhënë ndihma e parë, duke e transportuar atë në spital, plagët e marra kanë bërë që ajo të mos arrinte që të mbijetonte. Më pas, autori ka qëlluar edhe vetën me thikë, duke u plagosur. Megjithatë, ai është çuar në spital, ku pas ndërhyrjes së mjekëve, ka arritur që të shpëtojë nga vdekja. Ai ndodhet në spital, ku ruhet nga punonjësit e policisë. Në ditët në vazhdim autori pritet të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Sipas burimeve nga policia, mendohet se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt, i cili ka nisur për motive xhelozie. Gjithashtu, autori ka qenë në gjendje të dehur dhe debati i ndezur ka çuar në këtë ngjarje.
Ngjarja ndodhi në orën 02:00 të ditës së djeshme në zonën e Nish-Tullës pranë Spitalit Ushtarak. Autori Shpëtim Zhllima ka shkuar në shtëpinë e tij në gjendje të dehur. Aty ai ka filluar që të debatojë me bashkëshorten e tij, Nafijen. Debati midis tyre është nxehur dhe të dy kanë folur me tonë të ashpra. Më pas, dyzetvjeçari ka shkuar në kuzhinë ku ka marrë thikën e bukës dhe me të ka qëlluar gruan e tij. Goditjet e kanë prekur atë në trup, ku është qëlluar disa herë, duke i shkaktuar më pas vdekjen. Sipas burimeve nga policia, plagët e marra kanë qenë të shumta, duke bërë që viktima të mos të mbijetojë, si pasojë e humbjes së gjakut. Më pas 40-vjeçari i penduar është vetëplagosur me thikë. Ai ka qëlluar dy herë në trup, në përpjekje për të vrarë veten. Por ai është çuar në Spitalin Ushtarak, ku pas ndërhyrjes së mjekëve ka arritur që të shpëtojë. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, që ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje. Autori akuzohet për konsumim të veprës penale të “vrasjes me dashje armë të ftohtë”.