E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, gati godina për 850 të burgosur

 

KORÇE - Brenda pak ditësh, në burgun e sapondërtuar në Korçë do të akomodohen "bujtësit" e parë. Godina me një kapacitet prej 850 personash do të presë të dënuar të sigurisë së lartë e të mesme, si dhe të paraburgosur. Gjithashtu, projektuesit kanë veçuar edhe një seksion për të ekstraduarit. Duket se ndërtimi i kësaj godine do të gëzojë edhe qindra shqiptarë të dënuar në Greqi, të cilët kanë bërë kërkesë që të transferohen në burgjet tona. Por për efekt të mbipopullimit nëpër qeli, nuk është bërë e mundur më parë transferimi i tyre. "Më së fundi, të paraburgosurit e të dënuarit si dhe ata që janë në proces gjykimi e që qëndronin në mjedise të mbipopulluara do të transferohen në mjedise komode në burgun e ri, ku gjithçka flet për një trajtim brenda standardeve evropiane", u shprehën drejtues të këtij burgu. Burgu u ndërtua nga firma "Kostruksion '93". Me një fond prej 4.5 milionë euro të akorduara nga KE-ja, burgu sot rezulton i ndërtuar me parametra evropiane. Por ndërtimi i linjave të jashtme të furnizimit me ujë të pijshëm dhe të kanalizimeve të ujërave të zeza ishin dy kërkesa të domosdoshme, që zvarritën këtë objekt nga fillimi i funksionimit të tij. Çelja e këtij burgu duket se ka ngjallur interesin e banorëve të zonës për të ngritur bizneset e tyre në mjediset rreth tij. Mësohet se në tokën bujqësore rreth burgut, pa asnjë lejë nga komuna e Drenovës apo institucion tjetër atje, janë ngritur katër objekte provizore, të cilave u është hedhur themeli për objekte definitive. Bëhet fjalë për kioska ku do të afrohet shërbim fast-food dhe lokale pijetoresh. Ndërtimet e paligjshme kanë tërhequr vëmendjen e zyrës së Inspektoratit për Mbrojtjen e Administrimin e Tokës Bujqësore pranë Këshillit të Qarkut të Korçës. Drejtori i kësaj zyre, Josif Xherrahu bëri të ditur se janë marrë masa konkrete ndaj këtyre bizneseve. Sipas tij, katër persona që kanë ndërtuar pa lejë në tokën bujqësore para burgut të Korçës janë gjobitur në masën 500 mijë lekë. "Një ditë në këto mjedise mund të ndërtohen lokale e kioska, por pasi gjithçka të jetë rregulluar me ligj, pra që toka bujqësore të jetë kthyer në truall dhe komuna e Drenovës që e ka në juridiksion këtë vend, të japë lejet përkatëse për ndërtime", bënë të ditur burime pranë Këshillit të Qarkut.              j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›