Vaksina antigrip arrin 1700 lekë
FIER - Vaksina antigrip bëhet sërish objekt debatesh në qytetin e Fierit. Farmacitë e qytetit e kanë shitur atë me çmime të ndryshme, deri me 50 për qind më tepër sesa zakonisht. Ashtu si dhe vitin e kaluar çmimet janë rritur, por mosmarrëveshja mes grosistëve dhe farmacive rëndon direkt mbi pacientët. Janë prindërit e fëmijëve ata që e ngrenë shqetësimin të parët, madje edhe e denoncojnë si rast ndryshimin e çmimit të barnave në farmacitë e qytetit. "Prita disa ditë që të mbërrinte kjo vaksinë për të vaksinuar fëmijët si dhe babanë që e kam të moshuar. Kur mora vesh që erdhën me vrap u interesova, por çudia më ndodhi pikërisht aty. Më tha farmacistja, që nuk dua t'ia përmend emrin, se çmimi i vaksinës ishte 1700 lekë. Më ra si bombë. Unë vërtetë e kam të nevojshme t'i vaksinoj, por për 4 anëtarë janë shumë para". Banorja e lagjes "Apolonia" thotë se tri ditë më vonë, në një farmaci tjetër çmimi i vaksinës antigrip ishte 1100 lekë. "Ne si farmacistë nuk kemi pse të abuzojmë me çmimin. Ky çmim është i fundit, 1100 lekë dhe të tjerat janë thashetheme nga grosistët se vaksina është e skaduar, me qëllim të blihen barnat e tjera më të shtrenjta", pohojnë farmacistët. m.r