E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksploziv në kantierin e fshatit turistik të Kakomesë

Një sasi lënde eksplozive ka hedhur në erë portën e kantierit të fshatit turistik në Kakome. Burimet policore nga Komisariati i Sarandës konfirmojnë se shpërthimi i lëndës eksplozive ka ndodhur pas orës 01:30 të së enjtes. Ekspertët kriminalë që kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë përcaktuar se masa eksplozive ka qenë vendosur vetëm 1.5 metra larg portës hyrëse për në kantierin e fshatit turistik, që është duke u ngritur nga firma "Riviera" në Gjirin e Kakomesë. Ata kanë mundur të saktësojnë edhe llojin e sasinë e lëndës eksplozive, duke arritur në përfundimin se ka qenë rreth 100 gramë eksploziv i tipit amonit malor. Pasoja e ardhur nga shpërthimi ka qenë zhvendosja e portës së postbllokut kryesor të kantierit, vendosur nga firma ndërtuese "Riviera" qysh në nisje të punimeve për rrethimin e sipërfaqes prej 70 ha, të destinuar për fshatin turistik që do të ngrihet në këtë territor. Shpërthimi është dëgjuar dhe ndjerë i fuqishëm, duke tronditur personelin e administratës dhe specialistët që ishin duke fjetur në mjediset e qendrës administrative të firmës, në ndërtesën buzë detit. Shpërthimi i ka paraprirë seancës gjyqësore që është zhvilluar dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Sarandës për pesë personat e akuzuar prej disa muajsh për "shkatërrim të pronës së tjetrit", pasi kishin sulmuar automjetet dhe makineritë e firmës "Riviera", të dislokuara në Grykën e Prodanit në marsin e këtij viti. Ndërkohë që seanca e djeshme është zhvilluar në sfondin e shpërthimit të tritolit në hyrje të kantierit, mësohet se policia dhe hetuesia janë duke e zbardhur këtë episod të ri, që prej tyre është interpretuar si formë presioni e elementëve të veçantë nga radhët e banorëve të Nivicës, për të vështirësuar dhe rënduar klimën e punimeve që është duke kryer firma "Riviera" për ngritjen e fshatit turistik të Kakomesë, që është në kundërshtim me pretendimet e tyre për pronësinë mbi këtë territor. Banorët e Nivicës, pretendues të pronësisë mbi Kakomenë, janë përplasur dhe herë të tjera me punonjësit e firmës që ka marrë përsipër ndërtimin e fshatit turistik. Konflikti i parë u shënua në shkurt të vitit 2005, kur çështja "Kakomeja" çoi në ndalimin e shtatë personave, prej të cilëve kryeplakut Vladimir Kumi dhe mësuesit Koço Dhuli, të cilët u dënuan me arrest shtëpie. Më pas Gjykata e Apelit në Gjirokastër vendosi edhe për ata gjykimin në gjendje të lirë, me detyrim paraqitjeje në gjykatë, sikurse për të akuzuarit e tjerë, bashkëfshatarë të tyre, të konsideruar aktivë në rezistencën për fshatin turistik të Kakomesë. Ndërkohë në 26 korrik të këtij viti, policia shoqëroi 5 banorë të zonës, pasi punonjësit e firmës së kontraktuar për punimet janë ndjerë të kërcënuar pasi kanë dëgjuar të shtëna armësh shumë të afërta. Nga marrja e tyre në pyetje nuk është pranuar dhe provuar të ketë pasur qitje me armë në territorin e Kakomesë dhe ata janë lënë të lirë. Ndërkohë, një vatër zjarri që u shënua në fillim të muajit gusht, u konsiderua si i qëllimshme dhe se kishte lidhje me çështjen "Kakomeja".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›