Ndërtimorët "pastrojnë" hapësirat publike
Zënia e hapësirave publike nga firmat e ndërtimit dhe ndryshimet në projekt kanë bërë që në jo pak raste trotuaret e qytetit bregdetar të Durrësit të zhduken dhe kalimtarët të rrezikojnë jetën në rrugë. Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Durrësit ka ndërmarrë një tjetër aksion për prishje ndërtimesh pa leje me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre në identitet. Këtë herë aksioni i ndërtimorëve është përqendruar në lagjen 11 të Durrësit në një pallat shumëkatësh, që nuk kishte respektuar lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia e Durrësit. Firma që po ndërton pallatin 10-katësh kishte marrë leje për të ndërtuar në themelet e këtij pallati garazhe, ndërkohë që kishte ndërtuar në të vërtetë dyqane duke prishur me afro 2 metra trotuarin i cili ka qenë i gjerë 3 metra për të bërë shkallët që të çojnë te dyqanet. Në këtë mënyrë, trotuari ishte përgjysmuar, gjë që ka sjellë edhe reagimin e Bashkisë së Durrësit. Në bazë të ligjeve në fuqi, ndërtimorët kanë prishur të gjitha shkallët e ndërtuara nga firma e ndërtimit mbi trotuar duke çliruar në këtë mënyrë hapësirën e zënë dhe duke kthyer kështu trotuarin në gjerësinë e mëparshme. Një muaj më parë, në një tjetër lagje të qytetit, trotuari dhe rruga u shembën si rezultat i gërmimeve për themelet e një pallati dhe ende nuk është ndërtuar, ndërsa drejtuesit e firmave të ndërtimit janë vënë nën hetim. Ndërhyrje janë bërë në të njëjtën zonë të qytetit dhe në dy objekte të tjera të cilat kanë cenuar rëndë hapësirat e përbashkëta. Kështu, ndërtimorët e Durrësit kanë prishur edhe një lokal tip kioske në qendër të qytetit në lagjen 2 pranë pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu". Ky lokal ishte pa leje dhe pas paralajmërimeve të shumta, ndërtimorët në bazë të ligjit e prishën. Aksioni u drejtua nga shefi i inspektoratit të ndërtimit, Afrim Bakaj, i cili tha se nuk do të tolerohet asnjë ndërtim i jashtëligjshëm që synon të zërë hapësirën publike.