E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksplozivi te “Don Bosko”, hetim për dijeninë e tre lushnjarëve

08/04/2005  Të arrestuarit kanë biseduar në telefon në numrin e viktimës vetëm disa javë para ngjarjes

Prokuroria po verifikon pozicionin e tre të rinjve lushnjarë, Elvis Pethi, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani, lidhur me shpërthimin e eksplozivit te “Don Bosko” në fillim të marsit. Kjo, pasi ata nuk kanë kryer biseda telefonike natën e ngjarjes në numrin që iu gjet viktimës, Enver Rabiaj. Madje, ky numër dyshohet se ka qenë i Leonard Priftit dhe ky i fundit mendohet t’ia ketë lënë në përdorim Rabiajt. Njëri prej të arrestuarve Ditën e Verës, pas një kurthi të policisë kryeqytetase ka lidhje miqësore me Leonard Priftin dhe ata kanë pasur disa thirrje telefonike së bashku në numrin që iu gjet viktimës. Por këto biseda janë kryer disa javë para ngjarjes dhe nuk ka ndonjë provë që të vërtetojë se atëherë këtë numër e ka disponuar Enver Rabiaj apo Leonard Prifti.

Pozicioni

Tre të rinjtë lushnjarë u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Tiranës si persona të dyshuar se kishin dijeni mbi ngjarjen dhe se kishin penguar hetimin, duke mos treguar identitetin e hetimit. Pas kalimit të kësaj dosje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mësohet se po verifikohen të gjitha provat që disponohen për të mbrojtur akuzën e ngritur ndaj tyre, atë të pengimit të hetimit. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se tre lushnjarët rezulton që të mos kenë kryer thirrje telefonike natën e ngjarjes, në numrin që iu gjet viktimës, Enver Rabiaj. Burimet theksojnë se, ata kanë kryer biseda telefonike me këtë numër, por disa javë para ngjarjes. Ndërkaq, nga hetimet kanë lindur dyshimet se numri që i është gjetur viktimës i përket Leonard Priftit, i cili është në kërkim për një vrasje për të cilën po gjykohet në mungesë. Burimet pohojnë se ky fakt është pohuar edhe nga tre të arrestuarit, të cilët kanë deklaruar në polici se numri i përkiste Leonard Priftit. Por nuk është arritur ende të konkludohet se kush e ka poseiduar këtë numër gjatë kohës që tre të arrestuarit kanë kryer biseda telefonike disa javë para ngjarjes. Burimet pohojnë se në këtë kohë kur janë kryer thirrjet telefonike, këtë numër mund ta ketë pasur edhe vetë Leonard Prifti, që është i afërt me një prej lushnjarëve të prangosur.

Hetimi

Nisur nga këto fakte, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hedhur dyshimet se tre lushnjarët edhe mund të mos kenë dijeni mbi ngjarjen dhe qëllimin e atentatit. Kjo, pasi nuk ka ndonjë provë që të vërtetojë se ata kanë biseduar me Enver Rabiajn dhe Leonard Priftin natën e ngjarjes, apo disa ditë para, thonë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkaq, hetuesit kanë arritur të konkludojnë se atentati nuk ka qenë një kurth për Enver Rabiajn. Ky i fundit rezulton të ketë biseduar në telefon vetëm me Leonard Priftin natën e ngjares, thonë burimet. Prokuroria nuk ka zyrtarizuar ndonjë version lidhur me objektivin e atentatit. Por dyshohet që shënjestra të ketë qenë një ish-zyrtar i policisë, përfundojnë burimet e organit qendror të akuzës.

Dyshime për përfshirjen e Priftit në atentatin e dështuar

Policia dhe Prokuroria kanë hedhur dyshimet për implikimin e mundshëm të Leonard Priftit, në atentatin e dështuar të ndodhur në fillim të marsit në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Kjo, pasi në numrin që iu gjet viktimës dyshohet se, natën e ngjarjes ka bërë thirrje numri i Leonard Priftit. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se edhe numri që i është gjetur të masakruarit Enver Rabiaj ka qenë i Leonard Priftit. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton tani këtë çështje, ka arritur të verifikojë thirrjet telefonike të kryera në numrin që iu gjet viktimës Enver Rabiaj. Nga këto verifikime dhe hetimet e deritanishme, dyshohet se numri që i është gjetur Enver Rabiajt ka qenë i Leonard Priftit, njërit prej të akuzuarve si pjesëtar i bandës së Lushnjës, i cili po gjykohet në mungesë. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se nga verifikimet e kryera dyshohet se i vetmi person që ka kryer bisedë telefonike me Enver Rabiajn natën e ngjarjes, është Leonard Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›