Prokuroria, 15 vite burg bashkëshortëve mashtrues
08/04/2005 TIRANË – Përfaqësuesi i akuzës kërkoi dje para gjyqtarit Gjin Gjoni, deklarimin fajtor dhe dënimin e bashkëshortëve, Kujtim dhe Bukurie Ahmeti, për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me anë të mashtrimit. Për Bukurie Ahmetin, e cila është edhe personi direkt në këtë vepër, u kërkua dënimi me 10 vjet burg dhe 600 mijë lekë gjobë, ndërsa për bashkëshortin e saj, dënimi me 5 vjet burg me kusht. Akuza në konkluzionet përfundimtare tha se e pandehura ka mashtruar shumë persona se do t'i niste me vizë në vende të ndryshme, duke u marrë edhe shumat përkatëse. Por, pasi i merrte paratë, ajo nuk i takonte më ata, madje bënte personin e interesuar. Dy vjet më parë, e pandehura u kallëzua në Prokurori nga disa persona, të cilët u prekën nga "sëmundja" e mashtrimit. Tetë të dëmtuar dërguan në polici Ahmetin, pasi ajo me anë të mashtrimit kishte arritur t'i merrte miliona lekë. Vepra e kryer për disa kohë me radhë, është pranuar nga e pandehura para gjykatës. Ajo nuk ishte e interesuar që procesi të vazhdonte me pyetjen e dëshmitarëve, duke u mjaftuar vetëm me leximin e kërkesës për gjykim. Pra është dashur vetëm një seancë gjyqësore, që dy bashkëshortët të deklarohen fajtorë dhe të mësojnë masën e dënimit kërkuar nga prokurori. I gënjente se do t'u siguronte vizë për t'u larguar nga vendi. Kështu kishte bërë me shumë persona. Disa arriti t'i largojë nga Shqipëria kundrejt një pagese të mirë. Ndërkohë që nuk ka mundur të kryej punë për tetë të dëmtuarit, të cilët u mërzitën duke pritur dhe iu drejtuan policisë e prokurorisë. Nga secili person, Ahmeti merrte shumën e parave sipas largësisë së shtetit. Ata që kërkonin të shkonin në Amerikë duhet të paguanin jo pak, por gati 10 mijë dollarë për të siguruar vizën. Ndërsa më pak paguanin ata që duhej të shkonin në Kanada, Belgjikë e shtete të tjera. Për këtë akuzë, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi Ahmetin me 7 vite burg, vitin që kaloi. Por dosja u rikthye nga Shkalla e Dytë, pasi u vërejtën shkelje të rënda proceduriale.