Krimet e Rënda, rikthehet Cankollari për gjykim
08/04/2005 TIRANË – Avokati Agim Tirana ka bindur Gjykatën e Apelit për krime të rënda se, shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurit Laurant Cankollari nuk është bërë në respektim të normave ligjore. Pasi është shqyrtuar ankimi i Tiranës, Apeli ka vendosur të rikthejë edhe njëherë çështjen e të pandehurit Laurant Cankollari, për rigjykim. I pandehuri është gjykuar në mungesë me përfaqësi të avokatit mbrojtës. U dënua nga Shkalla e Parë për krime të rënda me 24 vite heqje lirie, megjithëse prokurori Altin Dumani kërkoi dënimin me 25 vite burg. Akuza me të cilën u dënua është ajo e vrasjes së shtetasit Adriatik Bano, në vitin 1998. Agim Tirana u shpreh se në kohën kur pretendohet se është kryer vrasja e Adriatik Banos, në afërsi të pallatit të sportit "Partizani", klienti i tij ka qenë në Itali. Avokati ka siguruar një dokument nga policia italiane, që tregon se Laurant Cankollari ka qenë në Itali. Por për fat të keq, ky dokument, sipas avokatit nuk u dorëzua në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda, pasi erdhi me vonesë. Prokurori e deklaroi fajtor të pandehurin Cankollari për krimin e vrasjes. Motivi ka qenë një borxh i vjetër. Viktima, sipas vendimit të gjykatës, i kërkonte Cankollarit një borxh prej 3 milionë lekësh. Ky borxh i ishte marrë viktimës disa kohë më parë dhe nuk i kthehej më. Kështu, Adriatik Bano për të mos i kthyer borxhin e marrë, e eliminon. Vrasja, sipas akuzës, është kryer me paramendim. Prokurori Altin Dumani tha se i pandehuri dhe viktima më parë kishin qenë shokë të ngushtë. Gjetja e autorit të krimit, sipas akuzës, u bë e mundur vetëm nëpërmjet gjurmëve të gishtave.