E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet shqyrtimi për Ledio Ruçin, prokurori përgatit konkluzionet

08/04/2005  TIRANË – Mbyllet shqyrtimi gjyqësor për të pandehurin Ledio Ruçi, djali i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Gjyqtari Arben Kostandini ka shtyrë seancën e djeshme për t'i lënë kohë prokurorit të pregatisë konkluzionet përfundimtare. Mbi të rëndojnë dy akuza, ajo e plagosjes së lehtë me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Grindje banale. Kështu do ta klasifikonte fillimin e sherrit midis Ledio Ruçit dhe disa djemve të tjerë që mbetën të dëmtuar, organi i Prokurorisë.

Gjatë seancave gjyqësore u pyetën disa dëshmitarë, të cilët në vija të përgjithshme rifreskuan ngjarjen e ndodhur më 2 shkurt. Djali i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Ledio Ruçi, në datën 2 shkurt, qëlloi me armë mbi Artur Cekën. Ndonëse arma me të cilën u qëllua i dëmtuari nuk është gjetur, akuza ekziston në dosje. Nga ana e avokatit bëhet e ditur se, Ledio Ruçi, përveçse është i akuzuar, është edhe i dëmtuar. Kjo gjë ka lehtësuar disi pozicionin e tij. Nga pyetja e të pandehurit, sipas akuzës ka dalë se djemtë nga Laçi ishin në një lokal në hyrje të ish-bllokut. Ndërkohë vetë i pandehuri ka qenë i shoqëruar me një femër. Kanë qenë ngacmimet e djemve nga Laçi, ato që kanë provokuar djalin e Gramoz Ruçit. Pas një sherri të përbashkët, i pandehuri nxjerr armën dhe qëllon në drejtim të djemve me të cilët po grindej. Vajza me të cilën ishte i shoqëruar i pandehuri ka qenë mis. Por emri i saj para gjykatës nuk u deklarua nga prokurori i çështjes. Sipas tij, emri i vajzës nuk mund të thuhet, pasi ajo nuk ka lidhje direkte me ngjarjen, megjithëse ka qenë pikënisja e sherrit. Ledio Ruçi qëlloi me armë në drejtim të shtetasit Artur Ceka, duke e plagosur atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›