Gjykata, detyrim paraqitjeje pronares dhe "pastrueses"
12/04/2005 TIRANË – Prokuroria nuk e ka parë të arsyeshme të mbajë në burg të pandehurat V.F. dhe N.Z., përkatësisht e para pronare e një hoteli në Tiranë dhe e dyta e regjistruar si pastruese në të. Në gjykatë, V.F. është sjellë me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit, ndërsa e pandehura tjetër me atë të ushtrimit të këtij profesioni. Ndonëse N.Z. është 48-vjeçare, nënë e 5 fëmijëve, prej kohësh ajo ushtron profesionin e prostitutës në hotelin pronë e shtetases me inicialet V.F. 48–vjeçarja bie për herë të dytë në pranga për të njëjtën akuzë. Një vit më parë ajo është dënuar nga Shkalla e Parë, ndërsa pas dhënies së vendimit nuk e ka ndërprerë veprimtarinë. E pandehura ka pranuar se ka qenë e dënuar për këtë vepër dhe se tashmë nuk e ushtronte më, por ishte thjeshtë punonjëse. Por gjatë kontrollit të hotelit, policia i ka gjetur në xhep disa prezervativë. E pandehura është mbrojtur nga avokati Sajmir Visha, i cili e ka përfaqësuar edhe një vit më parë. Pas kërkesës së prokurorit për të lënë të pandehurat në detyrim paraqitjeje, edhe vendimi i gjyqtarit Artan Broci ishte i njëjtë.