Eksplozivi te “Don Bosko”, një atentat i organizuar ende pa objektiv
11/03/2005 Prokuroria e Tiranës ka forcuar dyshimet se viktima e shpërthimit të eksplozivit në një pallat në rrugën “Don Bosko”, kishte si qëllim një atentat për larje hesapesh për pazare të mundshme. Por ende nuk është konkluduar në një emër konkret si i dyshuar në shënjestrën e atentatit. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë organit të akuzës, të cilat sqaruan se dyshimet janë përforcuar në këtë pistë, pasi, ndonëse ka kaluar afro një javë prej mëngjesit të së shtunës, nuk është kryer asnjë denoncim për zhdukje të ndonjë personi të seksit mashkull në moshë të mesme. Nisur nga ky fakt, Prokuroria ka hedhur dyshimet se të afërmit e viktimës apo miqtë që mund të kenë ndjerë mungesën e tij prej disa ditësh dhe pa asnjë lajm, nuk kanë interes që të denoncojnë një fakt të tillë. Lidhur me këto dyshime, mendohet se ka qenë një plan i organizuar më parë nga disa persona dhe jo vetëm nga viktima. Burimet sqarojnë se, nëse atentati i mundshëm do të ishte iniciativë vetëm e një personi, atëherë të afërmit e tij do të kishin denoncuar zhdukjen. Këto fakte lindin dyshimet se pas shpërthimit të eksplozivit te “Don Bosko”, me pasojë një viktimë, mund të fshihen konflikte të forta interesash për pazare të pista. Mësohet se Prokuroria nuk ka përjashtuar mundësinë që atentati të ishte drejtuar kundër ndonjë prej zyrtarëve të lartë të policisë që jetojnë në hyrjen tjetër të pallatit. Burimet e organit të akuzës thonë se po punohet për krijimin e një identikiti të mundshëm të viktimës, që i përket moshës 40-vjeçare. Kjo me qëllim që ai të shpërndahet në komisariatet e të gjithë vendit dhe të pyeten persona të ndryshëm, nëse kanë njohur ndonjë person me pamje të afërt. Ndërkaq, mësohet se nuk ka ardhur ende përgjigje nga kompania celulare të cilës i përkiste karta telefonike, lidhur me identifikimin e numrit dhe të poseiduesit të tij.