Presidentët Hollande dhe Papulias urojnë Presidentin Bujar Nishani
Konfirmojnë mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë
Presidentit të zgjedhur të Republikës, Bujar Nishani i kanë mbërritur mesazhe urimi nga Presidenti i Republikës së Greqisë Karolos Papulias dhe Presidenti i Republikës së Francës François Hollande.
Duke e uruar me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë të rëndësishme, në letrën e tij për Presidentin Nishani, Presidenti Papulias shpreh angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe të bashkëpunimit në kuadrin rajonal për të çuar më përpara stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë. “Minoriteti grek në vendin tuaj dhe qytetarët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi do të vazhdojnë të jenë urë e fortë miqësie dhe komunikimi mes dy popujve tanë. Greqia është dhe do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme e perspektivës europiane të Shqipërisë, por edhe e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ne presim që Shqipëria të marrë sa më shpejt që të jetë e mundur statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për kryerjen e reformave që kërkohen në kuadrin e procedurave të integrimit”, shprehet në letrën e tij Presidenti i Republikës së Greqisë Karolos Papulias.
Në mesazhin e urimit për Presidentin Nishani, Presidenti i Republikës së Francës François Hollande ndër të tjera shprehet se, “Ju uroj sukses të plotë në misionin tuaj të lartë. Shpresoj në veçanti që gjatë mandatit tuaj qeveria shqiptare të vazhdojë reformat e nevojshme për afrimin e Shqipërisë me Europën. Mund të keni besim në mbështetjen e Francës për t’ju ndihmuar në realizimin me sukses të këtij qëllimi. Do të kemi rastin të punojmë së bashku me qëllim që marrëdhëniet e vjetra dhe miqësore që ekzistojnë mes Francës dhe Shqipërisë të zhvillohen më tej. Unë jam i vendosur nga ana ime të veproj me vendosmëri në këtë drejtim”.