Vihet nën hetim polici i Hanit të Hotit

Pika e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit
Tiranë, 25 Tetor, 12:00, NOA - Policia e Shtetit ka nisur një hetim ndaj një efektivi të saj në Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, duke e pezulluar dhe nga detyra, ndërkohë që në këtë proces është përfshirë dhe një ish-polic.
Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit, thanë për agjencinë NOA se , nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtorisë Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar ka filluar hetimi në ngarkim të punonjësit të policisë, Inspektor Shaqir Hasanaj si dhe ndaj ish punonjësit të policisë Tom Camaj, aktualisht taksist, i cili ka dalë në reformë më datë 9 nëntor 2006.
Ndaj punonjësit të policisë kufitare, Inspektor Shaqir Hasanaj është marrë masa disiplinore pezullim nga detyra, për ti hapur rrugën hetimit të çështjes.
Ndaj tyre po zhvillohen hetime për veprën penale të veprat penale të shpërdorimit të detyrës, dhe korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike.
Gjithçka ka të bëjë me kalimin e paligjshëm të mallrave dhe njerëzve në këtë pikë kufitare me Malin e Zi.,
Policia e Shtetit fton subjektet dhe qytetarët që të denoncojnë në polici rastet e korrupsionit përmes numrit telefonik 129 ose duke kontaktuar me shërbimet përkatëse pranë çdo Drejtorie të Policisë në qarqe.
c.a/NOA