Ekspozitë për turizmin dhe ndryshimet klimatike
Ndryshimet klimatike, mbrojtja e natyrës dhe turizmi ekologjik ishin temë e një ekspozite me fotografi e zhvilluar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ekspozita u mbështet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, si një kontribut në mbrojtjen e natyrës dhe promovimin e një turizmi cilësor dhe të qëndrueshëm. Të 65 fotografitë e kësaj ekspozite evidentojnë rrezikun që i kanoset mjedisit nga zhvillimet botërore, ngrohja globale apo ndryshimet klimatike, duke bërë apel për respektimin e natyrës dhe përçimin e vlerave më të mira në funksion edhe të zhvillimit të një turizmi cilësor. Shqipëria, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Turizmit i bashkohet kësaj nisme botërore në përpjekje për të rritur ndjeshmërinë e publikut vendas ndaj mbrojtjes së natyrës.