Ekstradimet, në tre muaj sillen në Tiranë 7 të kërkuar
TIRANË - Shtatë persona, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale, kryesisht për vrasje, janë ekstraduar nga shtete si Greqia, Italia, Franca e Gjermania, drejt Shqipërisë në tremujorin e parë të 2008-s nga Zyra Kombëtare e Interpol Tiranës. Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe është ekstraduar drejt SHBA-ve një shtetas shqiptar, ndërsa nga autoritetet holandeze është arrestuar me qëllim ekstradimi një person i shumëkërkuar për vrasje, i cili është larguar nga dhomat e paraburgimit të Durrësit në janar të 2006-s. Më 29 janar 2008 deportohet nga Athina, Greqi, Përparim Muhameti, 40 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Kavajë. Ai është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë me 25 vjet burg për veprën penale të “vrasjes me dashje për motive të dobëta” dhe “armëmbajtje pa leje”. Po më 29 janar 2008 u ekstradua nga Roma, Itali, Armando Sulejmani, 32 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë me 20 vjet heqje lirie, për veprën penale të “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim” dhe “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”. Më 8 shkurt 2008, u ekstradua nga Greqia Theodhor Lulo, i shumëkërkuar për vrasje. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Librazhd ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit arrest me burg për veprën “penale të vrasjes me paramendim”. Një javë më pas u ekstradua drejt SHBA Drini Brahimllari. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë amerikane, konkretisht nga Gjykata e Michigan-it si i dyshuar për veprën penale të “rrëmbimit të personit” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Më 11 mars 2008, Interpol Tirana ekstradoi nga Italia Albenc Agon, i shumëkërkuar për “vrasje”, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar atë me 20 vjet heqje lirie. Ndërsa më 18 mars 2008, u ekstradua nga Milano, Itali, Viktor Nikolli. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Laç, në korrik 2005, e ka dënuar me 8 vjet heqje lirie për “shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese”. Më 18 mars 2008 u ekstradua nga Frankfurti, Gjermani, Petrit Sulejmani. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në tetor 2005 e ka dënuar me 10 vjet heqje lirie, për “shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese”. Tetë ditë më pas u ekstradua nga Parisi, Francë, Arjan Nallbani, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e rrethit Tiranë, në maj të 2001, e ka dënuar me 23 vjet burg për “vrasje për motive të dobëta”. Vetëm pesë ditë më parë u arrestua në Amsterdam, Holandë, Dritan Rexhepaj, 28 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur masën e sigurimit “arrest me burg” për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai ka mundur të arratiset nga dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Durrës në janar të 2006-s.
5 Prill 2008