E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas 15 vitesh dalin gjurmë në “Agio Soros”, manastiri i ndaluar në Greqi



Java e kaluar në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus u kurorëzua më gjetjen, pas 100 viteve, të pjesëtarëve të familjes Murra. Zanafilla e kësaj historie nisi përpara një shekulli, në Konicë të Janinës. Rrethanat e krijuara bënë që Hysen Murra të lërë familjen dhe të zhvendoset drejt Shqipërisë. Për shumë vite ai rezultonte i humbur për prindërit dhe vëllain e tij, Shahin Murro. Fati deshi që rreth viteve ’30 Hyseni të takonte rastësisht një kushëririn e tij në Vlorë dhe ky i fundit do t’i mundësonte korrespondencën me vëllain e tij. Shahin Murra ishte martuar me një zonjë turke të quajtur Selime dhe kishte pasur tre fëmijë, mes të cilëve dihej vetëm emri i njërit, që quhej Ahmet. Nevruz Murra dhe djali i tij, Nadiri, ishin disa nga pjesëtarët e fisit të mbetur në Shqipëri, që hodhën hapin të parët për të gjetur gjakun e tyre. Viti 2008 do të sillte përmbushjen e këtij amaneti. Në mëngjesin e 11 marsit 2008, stafi i emisionit “Njerëz të humbur” ndërmori një udhëtim në drejtim të Turqisë. Atje pritej të zhvillohej një takim surprizë që vetëm gazetarët e dinin. Një çaj tradicional turk, në afërsi të dy xhamive të famshme të Stambollit, Aya Sofia dhe Sulltan Ahmet, e njohur ndryshe si Xhamia Blu, qe pikënisja e ditës së dytë të udhëtimit drejt Turqisë. Ai mësoi se xhaxhai i tij kishte vdekur në moshën 99-vjeçare dhe në momentet e fundit kishte thirrur emrin e vëllait të mbetur në Shqipëri. Pas disa minutash ishte surpriza e madhe. Me sy të përlotur e fytyrë të qeshur, Nevruz Murra ka arritur të thotë: “Tani ndihem si Perëndia. Amaneti i babait shkoi në vend”. Rreth vitit 1936, familja Murra kishte ndryshuar mbiemrin në Dum. Kjo kishte qenë një ndër pengesat kryesore për bashkimin e këtij fisi. Shahin Murra mësohet se kishte lënë si pasardhës në Turqi tre fëmije: Ahmetin dhe dy vajzat, Fatma e Rabie. Në vitin 1998 Ahmet Murra ishte ndarë nga jeta. Të vetmet trashëgimtare ende gjallë kishin mbetur dy motrat e tij mbi 80-vjeçare, të cilat jetonin në Zongulldak. Mbi 400 km larg Stambollit, në pjesën aziatike të Turqisë, ato kishin krijuar familjet e tyre dhe jetonin me nipër e mbesa ditët e fundit të pleqërisë. Çdo orë që kalonte dukej se shkurtonte një periudhë kohore prej 10 vitesh. Emocionet ia linin vendin njëri-tjetrit në mënyrë të vazhduar. Habia dhe mallëngjimi më i madh ka qenë teksa Nevruzi ka arritur të shprehë dashurinë dhe përmallimin për kushërirat në gjuhën shqipe. Megjithëse të lindura në Turqi, dy zonjat e moshuara kishin mundur të ruanin zakonet shqiptare dhe t’i thonë kushëririt të tyre “Mirë se erdhe” në gjuhën amtare. Ato momente të papërsëritshme ishin njëlloj sikur të zbuloje parajsën, brendësinë e shpirtit e ta bëje të prekshme apo të dukshme... Shahin Murra tashmë kishte lënë prapa një familje të madhe, e cila i bashkëngjitet palës tjetër në Vlorë për të pasur një identitet të përbashkët: bij të shqipes. Nuk mjaftonin fotot dhe dokumentet e pluhurosura nga koha e gjatë, por të gjithë kishin një merak të përbashkët: të shikonin varrin e Shahinit dhe të përuleshin për një moment në shenjë respekti para vendit ku prehej trupi i tij. Vizita e gazetarëve të Vizion plusit nuk kishte kaluar pa u vënë re edhe nga persona të rëndësishëm në atë krahinë. Një pritje madhështore nga ana e kryetarit të Bashkisë së qytetit Eregli, z. Murat Sesli, do t’i hapte rrugën një bashkëpunimi dhe miqësie mes “Njerëz të humbur” dhe komunitetit të asaj zone. Një nga momentet mbresëlënëse ishte edhe takimi me një shqiptar të hershëm në Stamboll, i mirënjohur si avokat, Imer Voshtina. I lindur në Turqi dhe njohës i mbi 8 gjuhëve të huaja, ai pohonte se gjuhën e parë kishte atë të mëmës, atë që kishte arritur ta mësonte gojarisht e më vonë edhe me të shkruar. Mesazhi për të gjithë emigrantët shqiptarë jashtë atdheut nga ana e atij ishte mëse i qartë: “Të mos harroni mëmëdheun, gjuhën dhe traditat”. Sonte në “Njerëz të humbur” do të mund të ndiqni: Pas 18 vitesh shenja jete të një emigranti, i cili mendohej se nuk ekzistonte më! Cili është ai!? Një emigrant shqiptar dyshohet së ka marrë vendimin për t`u bërë prift në Greqi! Cila është historia e Ilmi Çelës? Disa histori pjesë të rubrikës së ”Ironisë së fatit” në pritje të një përgjigjeje për nënat e tyre biologjike. Ç`ka zbuluar “Njerëz të humbur” këtë javë në lidhje me to!? Për më shumë ndiqni sonte “Njerëz të humbur” ora 21:00 në kanalin televiziv Vizion Plus.

5 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›