Paradoksi, trualli në qendër kompensohet me 77 mijë lekë, por tatohet dyfish më shumë
Qyteti i Tiranës, i cili është dhe qyteti me intensitetin më të madh në ndërtime, edhe ky është diferencuar në çmime përsa i përket shitjes së apartamenteve apo trojeve në zonë urbane. Pra, në rast se do të duhet të kompensohesh me një truall në zonën e Rrugës së Elbasanit, që i përket zonës 2/1, shteti do të të japë vetëm 69.611 lekë për metër katror. Por nuk ndodh e njëjta gjë në rast se ti kërkon të shesësh truall apo apartament në të njëjtën zonë. Në këtë rast tatimi që duhet të paguash është rreth 2.5 herë më i madh se vlera që ka përcaktuar vetë shteti për këtë zonë të Tiranës. Për tatimet duhet të paguash sikur e ke shitur me 150 040 lekë. E njëjta praktikë duket se zbatohet dhe për zonën e “Bllokut”, ose e njohur zyrtarisht si zona 5/1. Këtu, vlera e kompensimit, e cilësuar si më e larta, është 77.523 lekë të rinj, por, në rast se duhet të shesësh truall, atëherë duhet të tatohesh me vlerën e 148.800 lekëve ose afërsisht dyfishin e vlerës që ta vlerëson vetë shteti. “Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë, ndërtesë, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Ky paragraf nuk zbatohet në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast tatimi i të ardhurave kryhet sipas procedurës mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast tatim i të ardhurave kryhet sipas procedurës së dhënë në paragrafin 2 të nenit 11 të Ligjit nr. 8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar” thuhet në pikën 1 të udhëzimit të nxjerrë më datë 6 janar. Pra, kemi të bëjmë me dy vlerësime të ndryshme brenda një shteti. I pari ka të bëjë me shumën sesi e vlerëson shteti të njëjtën pronë, kur e sheh të nevojshme që të paguajë për kompensimin dhe mënyrën sesi e sheh në rast se për të njëjtën pronë duhet të mbledhë fitimin. Por e keqja nuk qëndron këtu, sepse mund të jemi dakord deri diku me të drejtën që ka shteti, kur kërkon të formalizojë një treg. E keqja qëndron më së shumti në subjektivizmin që tregohet dhe nga paqartësia që kanë treguar specialistët përkatës në hartimin e këtij udhëzimi. Duket sikur është bërë në mënyrë emergjente, me çmime që nuk korrespondojnë kurrkund me realitetin dhe i pashoqëruar me akte normative, të cilat duhet të shprehin qartë kriterin që vendoset për vlerësimin e tyre. Nuk ka asnjë logjikë që individi të paguajë të njëjtën shumë si për një apartament të ndërtuar në vitin 1970, si për një apartament të ndërtuar në 2005-n, si për një dyqan, apo si për një metër katror truall. E gjitha kjo ka shkaktuar këtë bllokim që ky treg ka një muaj që po e vuan dhe askush nuk lëviz. Çka është më e keqja është se janë bllokuar dhe investimet, pasi askush nuk di më ç`të bëjë me pronën e tij. Në rast se e shet, atëherë i duhet që gjysmën e shumës ta lërë në Tatime; në rast se nuk e shet, humbet kohë për të kryer investimet. Pra lind nevoja që organet kompetente ta zgjidhin sa më shpejt këtë lëmsh të krijuar nga një kapriçio e ndonjë specialisti në ministritë që kanë miratuar këtë udhëzim.
Tabela e çmimeve minimale të shitjes së ndërtesave për qytetin e Tiranës
Në lekë
NR Zonat sipas hartës bashkëngjitur Çmimet minimale të shitjes për efekt fiskal (Lek/m2)
Viti 2008
1 1/1 79300
2 1/2 61000
3 2/1 152500
4 2/2 109800
5 2/3 97600
6 2/4 61000
7 3/1 63440
8 3/2 61000
9 4/1 61000
10 4/2 61000
11 5/1 152500
12 5/2 122000
13 5/3 79300
14 5/4 73200
15 6 61000
16 7/1 109800
17 7/2 109800
18 7/3 85400
19 7/4 63440
20 8/1 95160
21 8/2 76860
22 8/3 63440
23 9/1 122000
24 9/2 103700
25 9/3 73200
26 10/1 122000
27 10/2 115900
28 10/3 109800
29 11/1 79300
30 11/2 67100
31 11/3 61000
32 Komuna Farkë 73200
33 Komuna Dajt 61000
34 Komuna Kashar 48800
5 Prill 2008