E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Po NATO-s, jo Berishës”, pushton sheshin “Skënderbej”

Rama: “Në 2009-n do të qeverisim dhe do të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO. Kreu i selisë rozë premton qeveri të suksesshme dhe të sigurt

Shaban Sulçe

Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e organizuar dje nga Partia Socialiste dhe nga opozita shqiptare në sheshin “Skënderbej”. Ashtu siç ishte dhe motoja kryesore e kësaj proteste, “Po NATO-s, jo Berishës”, pjesëmarrësit në këtë protestë kanë kërkuar largimin dhe dorëheqjen e kryeministrit Berisha, i cilësuar prej tyre jo vetëm si shkaktari kryesor i tragjedisë së Gërdecit, por edhe si një kryeministër i paaftë që do të pengojë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO.
Pjesëmarrësit
Në protestë ka marrë pjesë kryetari i PS-së, Edi Rama, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, si dhe përfaqësues të tjerë të partive opozitare dhe drejtues të lartë të Partisë Socialiste.
Gjithashtu në podium kanë qenë të pranishëm edhe të mbijetuar dhe familjarë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit.
Gjatë protestës së zhvilluar e ka marrë fjalën kryetari i Shoqatës së ish-ushtarakëve, Mehdi Pogaçe, i cili ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Gjithashtu ka folur edhe Petrit Gjoni, përfaqësues dhe nismëtar i krijimit të shoqatës së të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave të Gërdecit. Ai ka kërkuar nga qeveria kompensim të plotë për dëmin e shkaktuar. “Qeveria shqiptare të kompensojë deri në qindarkën e fundit të gjithë banorët e zonës që u prekën nga tragjedia”, - tha ai.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalën e tij e ka cilësuar historike datën 3 prill, në të cilën Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit për në NATO. Rama tha se tashmë është realizuar aspirata e qindra mijëra shqiptarëve kudo ku janë.
Kreu i selisë rozë e cilësoi shumë të rëndësishëm vitin 2009, ku ai deklaroi se qeverisja e socialistëve dhe progresistëve jo vetëm që do të ndryshojë jetën e shqiptarëve, por edhe do të garantojë dhe realizojë anëtarësimin përfundimtar të Shqipërisë në NATO. “Dje ishte një ditë e re në historinë tonë. Dje u ftuam të rikthehemi në familjen tonë natyrale. Dje populli shqiptar mori një mbështetje historike nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë euroatlantikë, kurse politika shqiptare mori një detyrë të re, që për ne, socialistët e progresistët është një sfidë e re: Të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO në vitin 2009”, - tha Rama.
Duke u ndalur te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kreu i selisë rozë u ndal në realizimin e një kushti kryesor, siç është zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ai tha se PS-së nuk do të lejonte asnjë fenomen, që do të prekte lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve në Shqipëri. “Ne jemi të vendosur të mos lejojmë më deformimin e vullnetit sovran të qytetarëve shqiptarë dhe të bëjmë deri në fund detyrën tonë për ta kryer në kohë e me cilësinë e duhur reformën zgjedhore”.
Viti 2009
Kreu i selisë rozë tha se PS-ja është e vendosur për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi ato do të sigurojnë fitoren e thellë dhe spektakolare në zgjedhjet e ardhshme, e cila do të garantojë një qeverisje të qëndrueshme dhe të suksesshme.
“Interesi i Shqipërisë e i qytetarëve shqiptarë është reformimi rrënjësor i këtij sistemi përfaqësimi dhe i gjithë infrastrukturës zgjedhore. Ne do ta përfaqësojmë këtë interes me përkushtim e vendosmëri dhe do të kërkojmë nga pala tjetër të përmbushë të gjitha detyrimet e saj, sepse jemi të bindur që sa më të lira e të ndershme të jenë zgjedhjet, aq më spektakolare do të jetë fitorja jonë dhe, sa më i garantuar të jetë vullneti i popullit sovran nga tradita e mbrapshtë e deformimeve të votës, aq më e qëndrueshme e cilësore do të jetë qeverisja jonë e aq më të mbrojtur nga rreziqet e sotme do të jenë qytetarët tanë”, - vijoi Rama. Duke e akuzuar kryeministrin Berisha si të paaftë, të papërgjegjshëm dhe të korruptuar, Rama tha se qeverisja e socialistëve do të jetë e suksesshme dhe do të garantojë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme. “Ne jemi gati ta mbajmë këtë përgjegjësi historike, vitin e ardhshëm Shqipëria do të anëtarësohet në NATO, do të qeveriset nga ne dhe do të ndihet e sigurt në punë, në rrugë, në festë”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

5 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›