Përçarja në Komunitetin Mysliman, letër krerëve të shtetit
Vijon përçarja në Komunitetin Mysliman. Një grup teologësh të këtij komuniteti nga qyteti i Durrësit u kanë drejtuar një letër krerëve të shtetit si dhe ambasadave të huaja në Tiranë, ku kërkojnë ndërhyrje. Sipas tyre, Komuniteti Mysliman është përfshirë nga korrupsioni. “Jemi të bindur se kjo letër dhe kjo dëshirë jona që kërkon angazhimin Tuaj të vlefshëm për t’i thënë “Ndal!” këtij fenomeni, që po gërryen çdo ditë shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe institucionin e KMSH-së në veçanti, janë shprehje të përgjegjësive tona kombëtare, fetare dhe qytetare. Pra, ndihemi të shtrënguar të trokasim sot në dyert e autoritetit Tuaj, duke kërkuar prej Jush që me fuqinë e misionit dhe funksionit Tuaj kushtetues, të ndikoni për të vënë në lëvizje institucionet e vendit tonë për të ndaluar sa më shpejt që është e mundur dëmet morale dhe materiale që korrupsioni i krerëve me të lartë të KMSH-së e në veçanti Myftinisë së Durrësit, po i shkaktojnë një institucioni me rëndësi të veçantë kombëtare, kulturore e fetare siç është Bashkësia Islame e Shqipërisë”, - thuhet në letrën e tyre. Ata kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë pasi sipas tyre po grabiten pronat e komunitetit. “Prej disa kohësh po konstatojmë me shqetësim se krerë të lartë të KMSH-së po shkelin në mënyrë flagrante Statutin e KMSH-së dhe po abuzojnë frikshëm me pronat vakëf të këtij institucioni. Këto abuzime dhe ky korrupsion me pronat vakëf janë pranuar nga vetë krerët e këtij institucioni, në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës. Ndërsa, përgjigja që zotërinjtë drejtues të KMSH-së rezervojnë për të interesuarit rreth këtyre abuzimeve, ka qenë dhe vazhdon të jetë arroganca, brutaliteti, intransingjenca dhe kërcënimet e veshura shpeshherë me mantelin e imunitetit shtetëror dhe jo vetëm. Të veshur me imunitetin që me shumë zell dhe dëshirë u ofrohet nga drejtuesit qendrorë të KMSH-së dhe të strukur turpshëm nën ombrellën e të ashtuquajturës ‘mbrojtje e veçantë e shtetit’, drejtuesit lokalë të Myftinisë së qytetit të Durrësit sfidojnë çdo ditë e më shumë aspiratat e qytetarisë durrsake për një institucion shpirtëror të pastër e të papërfolur, shembull i virtytit dhe i devocionit”, - thuhet në letrën e teologëve të qytetit të Durrësit drejtuar krerëve të shtetit.