Fushë-Krujë; Alibeaj e Lohan vizitojnë burgun e ri me vlerë 3.8 milionë euro
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, vizituan dje burgun e ri të Fushë Krujës, i cili ka filluar të funksionojë këtë vit. "Riintegrimi i të dënuarve në shoqëri përbën filozofinë bazë mbi të cilën mbështeten politikat e qeverisë për sistemin penitenciar në vendin tonë", - tha dje ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë seminarit "Të Drejtat e Personave të Burgosur", organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit me personelin e sapozgjedhur të burgut të ri të Fushë-Krujës. Në këtë seminar ndodhej edhe kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan. Në fjalën e tij, ministri Alibeaj pasi falënderoi Bashkimi Evropian për mbështetjen dhe ndihmën që po jep për përmirësimin e sistemit penitenciar në Shqipëri, bëri një ekspoze të punës së bërë në këto tre vjet në këtë sektor. "Kemi shprehur vullnet të pastër politik për përmirësimin e trajtimit të të dënuarve dhe paraburgosurve, kemi marrë nisma konkrete ligjore, si dhe po përcjellim konceptet e reja në këtë sistem, duke e konsideruar burgun si një qendër riintegrimi", - u shpreh ministri i Drejtësisë, Alibeaj. Ai theksoi gjithashtu se "burgu është një minishoqëri, ku të dënuarit duhet të dalin prej andej të gatshëm për t’u integruar në shoqëri", si dhe i mëshoi për këtë qëllim, rëndësisë së trajnimit të stafit policor dhe civil në burgje, për të cilët, investime të rëndësishme ka afruar për infrastrukturën e burgjeve edhe Bashkimi Evropian. Duke iu referuar buxhetit të shtetit, ministri Alibeaj tha se "kemi ndërmarrë veprime konkrete me qëllim që në mënyrë autonome të dedikojmë vlera të konsiderueshme financiare për përmirësimin e sistemit penitenciar. Në buxhetin e shtetit rëndësi i është kushtuar edhe rritjes së personelit të burgjeve". Në fjalën e tij, ambasadori Lohan iu referua 60-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, duke theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut është një nga parimet themeltare të Bashkimit Evropian, i përbashkët për të gjitha vendet anëtare dhe i detyrueshëm për të gjitha vendet që synojnë t'i bashkohen BE-së. Trajnimi për administratën e sapopërzgjedhur të burgut të Fushë-Krujës, është pjesë e ndihmës së dhënë në kuadër të projektit "Drejtimi Human i Burgjeve", i cili mundëson trajnime mbi të drejtat e të burgosurve, me financim të BE-së me fondin prej 400.000 euro. Gjithashtu, projekti ndihmon me strukturën organizative të burgjeve, menaxhimin e konflikteve në burgje dhe me një kod sjelljeje për stafin e burgjeve. Të gjitha këto çështje adresohen në manualin "Si t'i bëjmë normat të zbatueshme", pjesë e projektit. Ndërtimi i burgut të Fushë-Krujës ka kushtuar 3.8 milionë euro. Financimi është bërë në kuadër të programit CARDS. Ai shënon një tjetër hap në përmirësimin e standardeve të infrastrukturës së institucionet e vuajtjes së dënimit në vend. Objekti ka filluar funksionimin dhe është populluar nga të dënuarit. Sipas burimeve zyrtare, ai është në përputhje të plotë më standardet evropiane, duke garantuar kështu për të paraburgosurit kushte jetese të nivelit të kërkuar nga legjislacioni vendas dhe ai ndërkombëtar dhe ka një kapacitet prej 350 të dënuarish. Ndërtimi, vënia në punë e tij dhe transferimi i të dënuarve në të zgjatën tre vjet.