E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet sërish ish-truproja e Hajdarit, Apeli ndryshoi masën e sigurisë

13/12/2008  Ishte vendosur masë me “garanci pasurore” për Marjan Grykën

SHKODER- Efektivat e policisë së Shkodrës kanë vënë nën pranga përsëri dje ish- truprojën e Azem Hajdarit, shtetasin Marian Gryka, të plagosur rreth dy muaj më parë në zonën turistike Shirokë-Zogaj të po këtij qyteti. Sipas burimeve zyrtare policore, rreth orës 13:30 të ditës së djeshme është bërë ekzekutimi i Urdhrit të Ndalimit që Prokuroria e rrethit Shkodër kishte lëshuar ndaj shtetasit Marjan Gryka, vjeç 37, lindur e banues në Shkodër. Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Apelit po më datë 12.12.2008, ka rrëzuar kërkesën e këtij shtetasi për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në atë të “Garancisë pasurore”, duke vendosur si masë sigurimi “arrest me burg”. Shtetasi Gryka u arrestua para dy muajsh për konsumim të veprës penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kallëzim të rreme”. Sipas të njëjtave burime zyrtare, vendimi i gjykatës ndaj shtetasit Marjan Gryka u mor për shkak të nxjerrjes së konkluzioneve të hetimeve dhe ekspertizave që lidhen me çështjen penale, kur ky shtetas u deklarua i plagosur me armë zjarri nga persona të paidentifikuar. Vendimi i gjykatës u mbështet plotësisht në rezultatet e hetimeve të kryera, në aktet e ekspertimit balistik, kimik, e mjeko-ligjor si dhe në thëniet kontradiktore të shtetasit Marian Gryka rreth ngjarjes së ndodhur natën e plagosjes në këmbë. Sipas këtyre konkluzioneve, rezultoi se shtetasi Gryka ishte vetëplagosur në këmbë dhe më pas kishte deklaruar sikur ishte plagosur nga persona të tjerë. Për këtë motiv dhe atë të armëmbajtjes pa leje policia e Shkodrës vendosi arrestimin e tij. Në atë kohë Gryka po mjekohej në spitalin rajonal të Shkodrës për plagën e marrë në këmbë prej vetë tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›