E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatë e Lartë; Gjyqi i ministrit, goglat caktojnë 5 gjyqtarët, relatues Spiro Spiron

Goglat përcaktuan dje 5 gjyqtarët që do gjykojnë çështjen e rrugës Durrës-Kukës. E shtyrë për në fundjavë, mesditën e djeshme u mësua mbi grupin e gjyqtarëve që do përbëjnë trupin gjykues, i cili do të kryesohet nga gjyqtari relatues, Spiro Spiro. Gjyqtari, në detyrë që prej vitit 2001, i dekretuar nga ish-presidenti Rexhep Mejdani, do të shoqërohet në gjykim nga gjyqtarët Perikli Zaharia, Irma Bala, Besnik Ymeraj dhe Aleksandër Muskaj, ky i fundit më i riu në Gjykatën e Lartë dhe i dekretuar nga Presidenti aktual, Bamir Topi. Shorti është hedhur mesditën e djeshme në gjykatë, kohë dhe ditë e përcaktuar nga vetë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët shtynë dita-ditës hedhjen e këtij shorti, nga shorti elektronik në short me gogla. Për këtë procedurë, pak ditë më parë, anëtarët e Gjykatës së Lartë kryen një mbledhje të posaçme për shkak të faktit se ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, është i vetmi ministër që gjykohet direkt nga Gjykata e Lartë. Relatuesi i kësaj çështjeje, Spiro Spiro, njihet si gjyqtari që katër vite më parë gjykoi kërkesë-padinë e Xhoana Nanos kundër deputetit Nikollë Lesi për shpifje dhe fyerje. Gjyqtari Spiro iu drejtua Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit për deputetin Lesi, me qëllim hapjen e rrugës për gjykim të kësaj kërkese të gruas së ish-kryeministrit Fatos Nano. Por, edhe një tjetër gjyqtar i këtij trupi gjykues njihet për gjykim të një ish-zëvendësministri, Nikolin Jakës, i cili la në fuqi masën e caktuar nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit për ish-zyrtarin. Sipas burimeve nga Gjykata e Lartë, dy nga gjyqtarët i përkasin seksionit të gjykimit të çështjeve penale, ndërsa tre prej tyre i përkasin seksionit të gjykimit të çështjeve civile. Përveç zgjedhjes së trupës gjykuese, tashmë ka mbetur për t'u fiksuar edhe data e çeljes së procesit, hap ky që mbetet për t'u hedhur javën e ardhshme. Por, ndërkohë që në këtë gjykatë u caktua trupi gjyqësor që do drejtojë gjykimin, në Gjykatën e Tiranës është duke vazhduar shqyrtimi i kërkesës së ministrit Basha që i konsideron të pavlefshme aktet e thirrjes dhe njoftimit të akuzës. Avokati i tij, por edhe vetë ministri e kanë konsideruar këtë hetim tërësisht politik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›