E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama shkarkon prokurorin që dënoi pedofilin anglez

23/01/2009  Kol Hysenal nga kreu seksionit të të miturve rikthehet prokuror i thjeshtë në Tiranë

TIRANE- Kol Hysenaj, prokurori që dënoi me 20 vjet burg pedofilin anglez David Brawn, është shkarkuar nga Kryeprokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë organit qendror të akuzës shqiptare, të cilat konfirmojnë shkarkimin e Hysenajt, si drejtues i seksionit të të miturve që ndodhet pranë Prokurorisë së Tiranës. Nuk dihen me saktësi motivet e këtij shkarkimi, por burimet thanë se vendimi është marrë nga vetë Kryeprokurorja Ina Rama dhe jo nga titullari i Prokurorisë së Tiranës Genti Xholi. Ndërkohë që menjëherë pas shkarkimit numri një i akuzës shqiptare Ina Rama, ka firmosur emrin e prokurores Lindita Ziguri, për të drejtuar seksionin e të miturve në akuzën kryeqytetase. Mësohet se kjo e fundit vjen nga një prokurore e thjeshtë pranë seksionit kundër Jetës dhe Shëndetit, në një funksion me ngritje si drejtuese e seksionit të të miturve. Aktualisht prokurori i njohur Kol Hysenaj do të ushtrojë funksionin e tij si prokuror i thjeshtë pranë Prokurorisë së Tiranës. Gjatë drejtimit të këtij seksioni Hysenaj mundi të modernizojë procesin hetimor që kryhej për të ndaluarit e mitur. Nën drejtimin e tij, veprimet hetimore ndaj të pandehurve që akuzoheshin për vepra të ndryshme penale, kryheshin në praninë e psikologut dhe duke respektuar të gjitha të drejtat e tyre njerëzore. Gjithashtu Hysenaj mundi të zbardhë skandalin seksual në qendrën humanitare “Fëmijët e tij”, ku falë hetimeve profesionale faktoi fajësinë e pedofilit anglez David Brawn dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Dino Christodoulou dhe Robin Arnold që u ekstraduan pak kohë më parë. Ndaj tyre është duke vazhduar procesi gjyqësor dhe pritet që gjatë këtij viti ata të dënohen nga drejtësia shqiptare.

Seksioni

Zyra për hetimin e veprave penale që kryhen nga minorenët drejtohet nga një prokuror dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët përveç kryeqytetit mbulojnë edhe katër qytete të tjera si Krujën, Kurbinin, Matin, dhe Mirditën. Shumica e procedimeve penale të depozituara në këtë strukturë regjistrohen për veprat penale të “vjedhjes” dhe “drejtimit të mjeteve pa dokument”. Hetimi veprës penale të kryer nga minorenët kryhet në praninë e psikologut, i cili jo vetëm që është i pranishëm gjatë marrjes në pyetje, por edhe në çdo veprim hetimor ku është i pranishëm minoreni i pandehur. Ngritja e seksionit për minorenët, në thelb nuk ka shërbyer vetëm për hetimin e veprave penale që shkaktojnë të miturit, por në të njëjtën kohë ky seksion ka garantuar edhe respektuar të drejtat e minorenëve, trajtimi i të cilëve kohë më parë linte shumë për të dëshiruar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›