Ekstradohen nga Parisi e Londra, ishin në kërkim për vrasje të disa viteve më parë
Tiranë - Interpol Tirana mundësoi ekstradimin e dy personave të kërkuar për vrasje. Dritan Xhepexhiu u ekstradua nga Franca, drejt Shqipërisë pasi për të ka një vendim gjykate që e mbyll 16 vjet në qeli për vrasje. Ndërsa nga Anglia u dorëzua në Aeroportin e Rinasit, Nuri Seferi i cili dënuar gjithashtu për vrasje. Në bazë të Konventës Europiane mbi Ekstradimin si dhe te Kodit të Procedurës Penale, organet e Drejtësisë kanë kërkuar ekstradimin nga Franca dhe Anglia të shtetasve të sipërpërmendur, në mënyrë që të vuajnë dënimin në vendin tonë. Në aeroportin e Rinasit shtetasit e sipërcituar i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Gjykata e Gramshit e ka dënuar Xhepexhiun me 16 vjet heqje lirie, për veprën penale të vrasjes me dashje në bashkëpunim si dhe plagosjes me dashje. Në vitin 2005, në qytetin e Gramshit shtetasit Dritan Xhepexhiu dhe Saimir Xhepexhiu pas një grindjeje të momentit kanë vrarë Durim Hoxhën dhe plagosur Arjol Xhangollin. Menjëherë pas ngjarjes shtetasit Dritan dhe Saimir Xhepexhiu janë larguar në drejtim të paditur, por Interpoli ka shpallur për ta kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë që ekstradimi i shtetasit Nuri Seferi është bërë pasi Gjykata e Kavajës e ka dënuar me 18 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të vrasjes me dashje për motive të dobëta e kryer në bashkëpunim. Sipas vendimit të gjykatës, shtetasi Nuri Seferi në vitin 1991, ka vrarë me thikë shtetasin Hakik Xeka, në fshatin Luz i Vogël, në bashkëpunim me vellezërit e tij Fetah dhe Fatmir Seferi. Në vitin 1997 Nuri Seferi u larguar nga burgu dhe nuk është kthyer më.
Aksidentet në punë, gjatë 24 orëve humbën jetën dy persona
TIRANË - Dy aksidente të rënda në punë me pasoje vdekjen e dy personave, kanë ndodhur gjatë 24 orëve në kryeqytet. Burime policore thanë për gazetën se në Spitalin Ushtarak ka mbërritur dje në mëngjes i pa jetë 44 vjeçari Arben Leçka banues në Kamëz të Tiranës. Nga veprimet hetimore dhe nga deklarimet e dëshmitarëve okularë u konkludua se Arben Leçka me punë hidraulik në Bashkinë Kamzë gjatë punës për riparimin e rrjetit, në momentin e futjes në një pusetë buzë rrugës në Çekreze i ka rënë kapaku i betonit të pusetës duke e dëmtuar rëndë në kokë. Ndërkohë policia njofton gjithashtu se dje në darkë është gjetur i vdekur një shtetas në një pallat në ndërtim e sipër në Unazën e Re, Grupi Hetimor që shkoi në vendngjarje konkludoi se viktima është Baftjar Koxha, 67 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Unazën e Re, me punë roje në këtë objekt, i cili mendohet se gjatë lëvizjes ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga një lartësi prej 3 m ku dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
8 Shtator 2008