Mbetet në qeli autori i 8 vjedhjeve në kryeqytet
TIRANË - Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi të shtunën të lërë në qeli, deri në përfundim të hetimeve, 21 vjeçarin Ditar Cerjani i cili akuzohet për të paktën 8 vjedhje banesash në kryeqytet. Gjatë seancës së zhvilluar dje, Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 21 vjeçarin Cerjani, banues në fshatin Rashnapojë të Dibrës, i dënuar disa herë për vjedhje. Cerjani u arrestua para katër ditësh, pas një operacioni të organizuar nga policia e Tiranës në bashkëpunim me policinë e Peshkopisë. Ndaj tij, prokuroria e rrethit të Tiranës kishte lëshuar urdhër- ndalimin pasi akuzohet si autor i 8 vjedhjeve të banesave brenda një harku kohor prej 1 muaji. Burime nga prokuroria thanë se hetuesit janë duke punuar për zbardhjen e disa vjedhjeve të tjera, të cilat dyshohet se kanë për autor 21 vjeçarin Cerjani.
Prangoset grabitësi i fabrikës së njohur të birrës
TIRANË – Pas dy javësh ka rënë në pranga autori që grabiti ndërmarrjen e njohur të prodhimit të birrës. Pas denoncimit të bërë nga drejtuesit e saj më 28 gusht, policia e Tiranës nisi hetimet dhe mbrëmjen e dy ditëve më parë specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve ndaj Biznesit bënë ndalimin e shtetasit Viktor Rajta, lindur në Dibër dhe banues në Laknas të Tiranës. 26 vjeçari rezulton të jetë autor i vjedhjes së ndërmarrjes së prodhimit të birrës “Stela”. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se materialet i kaluan Prokurorisë së kryeqytet, pasi shtetasi Viktor Rajta akuzohet për veprën penale të “vjedhjes”.
Prangosen dy 15-vjeçarët, u kapën duke vjedhur banesën
DURRËS – Dy të mitur janë ndaluar nga policia, teksa po vidhnin një banesë në rrethin e Durrësit. Burimet policore bëjnë të ditur se mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21.30 janë ndaluar shtetasi A. D., dhe A.K., të dy të lindur në rrethin e Dibrës dhe banues në Shënavlash të rrethit të Durrësit. Sipas tyre, dy të rinjtë 15-vjeçarë, po të njëjtën ditë, rreth orës 14.00, u kapën në flagrancë nga shërbimet e komisariatit të Policisë së Durrësit duke vjedhur në banesën e shtetases M. V. në fshatin Shënavlash. Sipas burimeve zyrtare, materialet procedurale i kaluan prokurorisë së Durrësi, pasi dy të rinjtë akuzohen për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim, të mbetur në tentativë.
8 Shtator 2008