E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri për prokurorinë vë nën kontroll hetimet për Gërdecin



Habjon Hasani

Tiranë - Ndryshimi i një fjalie të vetme në projektligjin për prokurorinë i ka dhënë ekzekutivit të drejtën të “fusë hundët” në ecurinë hetimore të prokurorëve. Rrezikon të ndodhë kjo edhe me një nga dosjet më në zë, atë të hetimeve për ngjarjen e Gërdecit.
Ndryshimi
Bëhet fjalë për ndryshimin e nenit 56 të ligjit aktual të prokurorisë, i cili rregullon marrëdhënien e institucionit të akuzës me Ministrinë e Drejtësisë (qeverinë). Pasi ka konsultuar disa ekspertë juridik të pavarur, “Albania” është informuar se ndryshimi i një fjalie të vetme në këtë nen duket se i ka dhënë një akses dhe nivel kontrolli shumë të lartë ekzekutivit ndaj çështjeve që janë ende në proces. Më konkretisht bëhet fjalë për mënyrën dhe metodikën e kontrollit që Ministria e Drejtësisë ushtron mbi punën dhe zbatueshmërinë e ligjit të prokurorëve. Ligji aktual parashikon në nenin 56 se “Kontrolli në çdo rast duhet të jetë i paralajmëruar dhe për çështje për të cilat kanë përfunduar hetimet paraprake”, por duket se drafti i ri e ka ndryshuar këtë rregull duke parashikuar se: “Kontrolli në çdo rast duhet të jetë i paralajmëruar dhe mund të kryhet gjatë hetimeve paraprake ose pas përfundimit të tyre”. Ndryshimi është mëse i qartë, ndërsa vetëm me ndryshimin e kësaj fjalie Ministria e drejtësisë merr të drejtën të ndërhyjë, madje të bëjë dhe raport-kontrolle gjatë fazës hetimore paraprake të prokurorëve.
Gërdeci
Ndonëse kjo fjali rezulton thjesht e “modifikuar” disa ekspertë të ligjit të kontaktuar nga “Albania” janë shprehur se koncentrati i ri ka ndryshuar me 180 gradë thelbin e marrëdhënies mes dy institucioneve. “Hetimet paraprake janë një fazë thelbësisht profesionale dhe një terren ku prokurori duhet të veprojë si “sovran” dhe i pashqetësuar. Në momentin kur ekzekutivi ndërhyn dhe fillon të zbërthejë hetimin paraprak problemi komplikohet tej mase. Në rastin më të mirë le të themi se ndërhyrja e ministrisë është e justifikuar frytdhënëse, pyetja që lind menjëherë është se çfarë pasojash do të lërë kjo ndërhyrje në vijimësinë e hetimit dhe profesionalitetin e tij. Pra askush nuk duhet të shqetësojë një prokuror ndërsa është në procesin e investigimit. E kjo vlen në rastin më të mirë të supozuar. Në kushtet ligjore ekzekutivi është vetë një “shënjestër” e organeve hetimore ky lloj aksesi ngre pikëpyetje të mëdha madje lë shteg të mendosh se me këto kontrolle, ministria mund të gjejë në çdo moment “kleçka” për të bllokuar hetimin paraprak”, i tha dje “Albania”-s një ekspert i ligjeve i cili solli si shembullin më klasik të këtij konflikti dosjen e “Gërdecit” ku vetë qeveria është “e hetuara paraprake”.
Ministri
Vetëm katër ditë më parë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj e përmendi këtë ndryshim duke e konsideruar si një “largpamësi” dhe si një operacion rregullator të rëndësishëm. “Në këtë mënyrë veprimet e prokurorëve nuk do të kontrollohen vetëm pasi ata të kenë përfunduar, por edhe kur janë në proces e sipër. Ky është një ndryshim i rëndësishëm që rrit ndjeshëm efikasitetin dhe ndërhyrjen në kohë të organeve të kontrollit mbi shkeljet e mundshme”, - është deklaruar ministri si për t’i paraprirë me këtë deklaratë një ndryshimi që sipas ekspertëve ligjorë të pavarur i kthen prokurorët në “investigues” të varur kryesisht edhe nga Ministria e Drejtësisë. “Albania” është informuar se ky ndryshim është parë me skepticizëm dhe kritika edhe nga përfaqësuesit e misionit “Euralius” në Shqipëri.

LIGJI AKTUAL

Neni 56
Marrëdhëniet me Ministrinë e Drejtësisë

Pika 3
“Kontrolli në çdo rast duhet të jetë i paralajmëruar dhe për çështje për të cilat kanë përfunduar hetimet paraprake”.

VERSIONI I PROPOZUAR

Neni 56
Marrëdhëniet me Ministrinë e Drejtësisë

Pika 3
“Kontrolli në çdo rast duhet të jetë i paralajmëruar dhe mund të kryhet gjatë hetimeve paraprake ose pas përfundimit të tyre”

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›