E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëdorëzohet në polici vrasësi i Gjon Përvathit

 

LEZHE - Vetëdorëzohet në polici autori i vrasjes së 50-vjeçarit Gjon Përvathi e plagosjes së dy të tjerëve mesditën e 21 nëntorit. Ndue Lekgjonaj, 55 vjeç, nga fshati Manati i Lezhës ka pranuar që të bjerë në prangat e policisë, pas negociatave që uniformat blu kanë bërë me të nëpërmjet telefonit. Rreth orës 13:00, plot 4 ditë pas krimit, ai ka mbërritur në drejtorinë e policisë së Lezhës, duke u vetëdorëzuar bashkë me armën e krimit. Mësohet se Lekgjonaj është dorëzuar me kusht që ndaj tij të procedohet me gjykimin e shkurtuar, pasi ka pranuar krimin dhe është vënë në dispozicion të drejtësisë. Burime të policisë pohojnë se Ndue Lekgjonaj ka qenë dikur efektiv i policisë së Lezhës, por ishte larguar prej saj për shkak të reformës. Gjatë këtyre ditëve ai ishte fshehur në fshatin Manati, ku dhe ndodhej familja e tij, derisa vendosi të dorëzohej me kusht. Pas dorëzimit në polici, Lekgjonaj është shprehur se vrasjen e kishte kryer pasi viktima i kishte bllokuar rrugën për të kaluar ai dhe familja e tij. Prej vitesh Përvathi kishte pasur probleme me familjen Lekgjonaj, të cilat ishin rikthyer pas daljes së tij nga burgu vetëm 4 ditë para se të vritej. Vrasja e Përvathit u pasua me një tjetër ngjarje të rëndë në familjen e tij. Pasi e shoqja, në kushte të rënda psikike, piu fostoksinë, duke vdekur në të njëjtën ditë me të shoqin. Çifti Përvathi la 4 fëmijë jetimë.                                                                                         r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›