E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletë-arrestet, Basha marrëveshje me belgët

 

TIRANE - Policia Belge dhe ajo Shqiptare do të vazhdojnë të zbatojnë edhe në vitet në vijim marrëveshjen e bashkëpunimit për shkëmbimin e informacionit, për ekzekutimin e fletë-arresteve dhe të ekstradimeve të kërkuara nga gjykatat e të dy vendeve. Kjo ka qenë tema kryesore rreth të cilës është diskutuar në takimin e djeshëm që ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, zhvilloi me Komisionerin e Përgjithshëm të Policisë Federale të Belgjikës, Fernand Koekelberg. Gjatë këtij takimi Basha u shpreh se Belgjika dhe Shqipëria kanë sfida dhe objektiva të njëjta,si dhe përballen me të njëjtat kërcënime të kriminalitetit. Pikërisht kjo është arsyeja që sipas Bashës policia shqiptarë duket të thellojë bashkëpunimin dhe në veçanti shkëmbimin e përvojës dhe informacionit me policinë Federale belge. Ministri Basha paraqiti në takim një pasqyrë të përgjithshme të rezultateve të Policisë së Shtetit kundër të gjitha aktiviteteve kriminale, e në veçanti ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Sipas Bashës, policia shqiptare ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt një faze të re të luftës kundër krimit të organizuar përbëjnë edhe ligji "Antimafia" dhe ligji për konfiskimin e aseteve. Ndërsa Komisioneri Koekelberg pasi vlerësoi rezultatet e policisë shqiptare shprehu interesimin dhe angazhimin e plotë të Policisë Federale të Belgjikës për shkëmbimin e informacionit dhe arritjen e rezultateve konkrete për ekzekutimin e fletë-arresteve dhe kryerjen e procedurave përkatëse për t'ia dorëzuar drejtësisë personat e kërkuar në të dy vendet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›