E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në Mirditë, Këshilli Bashkiak braktis mbledhjen

 

MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI

Ngjarjet e rënda të ndodhura në Mirditë muajt e fundit, të cilat tronditën opinionin publik, kanë sjellë reagimin e fortë të këshilltarëve bashkiakë. Të mbledhur për të diskutuar në rendin e ditës ndihmën ekonomike, planin rregullues të qytetit e vendime të tjera, ata i kanë lënë mënjanë këto, duke u përqendruar të situata e rendit në qytet. Sipas këshilltarëve, të majtë dhe të djathtë, në këtë mbledhje ishin thirrur për të dhënë sqarime dhe drejtues të komisariatit dhe policisë së qarkut, pasi kohët e fundit janë regjistruar ngjarje që cenojnë jetën e tyre. Dhe qytetarë të ndryshëm, të pranishëm në këtë mbledhje me dyer të hapura, kanë reaguar se, "para parave për bukën e gojës duam që të na mbrohet jeta e fëmijëve tanë". Me këtë kërkesë, mbledhja është deklaruar e mbyllur, derisa në Këshillin Bashkiak të raportohet mbi gjendjen e rendit dhe sa është policia e aftë për vendosjen e tij. Këshilltarët e Mirditës mësohet se i kanë nisur një relacion ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha dhe kreut të Qeverisë, Sali Berisha për këtë çështje. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Nikolin Kaçorri, është shprehur se për të dhënë llogari për situatën e krijuar u lajmëruan drejtues të policisë, por ata nuk kthyen përgjigje. Pas debateve të zhvilluara në mbledhje, këshilltarët kanë arritur në një përfundim: atë të votimit unanimisht për mosvazhdimin e saj, derisa të japin llogari përfaqësuesit e rendit. Kjo ka bërë që të mos miratohet as ndihma ekonomike e muajit tetor. Sipas Kaçorrit, Këshilli Bashkiak do të mblidhet kur përfaqësuesit e policisë të raportojnë në mbledhjen e tij, ashtu siç u është kërkuar zyrtarisht. "Situata e krijuar pas vrasjeve në rrethin e Mirditës dhe pikërisht në territorin e Bashkisë Rrëshen, ka bërë që këshilltarët e bashkisë së këtij qyteti, përfaqësues të gjithë forcave politike, në mënyrë unanime, të vendosin mosmiratim të asnjë projekt-buxheti apo plani rregullues për banorët e kësaj njësie. Vendimi merret deri në mbërritjen e drejtuesve të komisariatit të Policisë Mirditë për situatën e krijuar", pohon ai. Sipas këshilltarëve është e palogjikshme dhe e pamoralshme që njerëzit vriten 50 metra larg komisarit të policisë së Mirditës dhe policia është e pafuqishme për të vepruar, pasi mungesa e punonjësve të rendit është evidente. Ata shtojnë se nuk ka natë pa ndodhur 2-3 vjedhje dhe askush nuk ndalohet. "Situata e krijuar ka bërë që nga një qytet që kaloi edhe vitin 1997 pa probleme, ku njerëzit lëviznin lirisht në 2 të natës, tani detyrohemi të mbyllemi në shtëpi para orës 8 të darkës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›