E Diel, 1 Nëntor 2026

Higjiena mbyll shkollën me 1300 nxënës

 

DURRES - Drejtuesit e shkollës "Neim Babameto" në Spitallë kërkojnë hetim të menjëhershëm të KLSH-së për të zbardhur vjedhjet që sipas tyre i janë bërë fondit qeveritar nga ana e Bashkisë së Durrësit. Rreth 1300 nxënës të shoqëruar nga mësuesit e tyre dhe inspektorë të drejtorisë së Higjienës dhe Epidemiologjisë kanë protestuar për 60 minuta përpara dyerve të bashkisë. Në protestë ishin ngritur të gjithë nxënësit e shkollës së Spitallës "Neim Babameto". Mjediset e kësaj shkolle janë mbyllur nga mjekët sanitarë, pasi nxënësit rrezikohen të preken seriozisht nga disa lloje hepatitesh dhe sëmundje të tjera infektive. Në korridoret e kësaj shkolle kanë plasur ujërat e zeza, si pasojë e investimeve gjysmake ose pa cilësi. Afro 2 vjet më parë Ministria e Arsimit akordoi një fond prej 90 milionë lekësh me qëllim ngritjen e një shkolle model në zonën informale të Spitallës. Lëvrimi i këtij fondi qeveritar iu besua Bashkisë së Durrësit, e cila përcaktoi vetë zbatuesit e këtij investimi. Por kur këto lekë janë harxhuar krejtësisht nga zbatuesit e projektit, gjendja e kësaj shkolle (ndër më të mëdhatë në Durrës) është mjerane. Ujërat e zeza kanë shpërthyer nëpër korridore dhe klasa, pjesë të suvasë së mureve janë shpërbërë nga cilësia e dobët e punimeve dhe për arsye sigurie një javë më parë inspektorët sanitarë vendosën mbylljen e shkollës. Si pasojë e kësaj gjendjeje 1300 nxënës nuk kanë tashmë se ku të bëjnë mësim. Protesta ka vijuar për një orë, teksa dyert e bashkisë kanë qëndruar gjatë të gjithë kohës të mbyllura për nxënësit. Në protestë merrte pjesë edhe drejtori i shkollës "Neim Babameto" Mark Laska, i cili nuk nguroi t'i cilësonte bashkiakët e Durrësit si "palë me hajdutët e fondeve". "Nëse do të ishin investuar 900 milionë lekë, atëherë ajo shkollë do të ishte një shembull i higjienës dhe kushteve të mësimdhënies. Por aty kam bindjen se janë investuar më pak se gjysmat e këtyre parave", u shpreh ai.                o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›