E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet hajduti i bankës

 

Armand Bajrami

Gjykata e Tiranës pranon kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e hajdutit të bankës së Kinës, Lei Shen, i arrestuar në aeroportin e Rinasit në qershor të këtij viti. I akuzuari për "mashtrim financiar" me pasojë vjedhjen e një shume prej miliona dollarësh, duke falsifikuar dokumente, Lei Shen, ish-punonjës banke, do t'i dorëzohet autoriteteve të Republikës Popullore të Kinës në ditët në vijim. Vendimi që i dha "vizën" për ekstradim në shtetin e tij u shpall pak ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit, vetëm pasi togat e zeza u bindën se Shen nuk rrezikonte dënim me vdekje pas mbërritjes në Kinë.
EKSTRADIMI
Referuar vendimit të shpallur pak ditë më parë nga shqyrtuesi i kësaj çështjeje në Gjykatën e Tiranës, gjyqtari Gerdi Hoxha, gjykata pranoi kërkesën e kinezit Lei Shen për ekstradimin e tij në Kinë. Përveç prokurorisë shqiptare që ishte palë kërkuese në gjykatë, kërkesa për ekstradim mbështetej edhe nga vetë i pandehuri Shen. Në seancën e shqyrtimit të kërkesës ishte i pranishëm edhe Konsulli i Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri. Qëllimi i pranisë së tij në sallën e gjyqit ishte konfirmimi për gjykatën se ekstradimi në Kinë i të pandehurit nuk do të sillte dënim me vdekje për të, apo shkelje të të drejtave të njeriut. "Fakti, të cilin dyshohet se ka kryer personi nën hetim Lei Shen, nuk parashikohet nga legjislacioni kinez si një vepër me karakter politik apo ushtarak. Vepra penale 'mashtrim financiar' parashikohet nga ligji penal kinez si vepër penale me rrezikshmëri shoqërore të lartë, në fushën e pronës dhe pasurisë, për të cilën parashikohet një dënim në maksimum me burgim të përjetshëm. Por, nuk parashikohet dënimi me vdekje. Një vepër penale e tillë parashikohet dhe është e dënueshme në mënyrë të ngjashme edhe sipas legjislacionit penal shqiptar", thuhej në arsyetimin e vendimit të gjykatës. Lei Shen u arrestua në 19 qershor 2009 në aeroportin e Rinasit, teksa po tentonte të hipte në një avion me destinacion Italinë. Pasi kanë verifikuar se ndaj tij rezultonte një urdhër arresti ndërkombëtar, autoritetet policore realizuan ndalimin e tij. Mësohet se sipas këtij urdhër arresti, të lëshuar nga autoritetet kineze, rezulton se Lei Shen është person nën hetim për kryerjen e veprës penale të 'mashtrimit financiar' në shuma të mëdha, 52 milionë jen, rreth 7 milionë USD, me anë të falsifikimit të dokumenteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›