E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset me gurë 35-vjeçari, kapet autori

 

TIRANE - Një 35-vjeçar në gjendje të dehur, është plagosur me sende të forta në kokë, pas një grindje të momentit në një lokal në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në afërsi të rrugës "Bardhyl", pranë "Bërrylit". Brenda pak minutash nga ngjarja, policia e Komisariatit nr.1 ka mundur të arrestojë autorin e ngjarjes me akuzën e "plagosjes së lehtë me dashje". Burime nga policia thanë se autori dyshohet të jetë 48-vjeçari Kristaq Balla, i cili ka përdorur gurë dhe copa dërrasash për të goditur 35-vjeçarin, i cili sipas policisë ishte në gjendje të dehur. Kjo ka qenë edhe arsyeja që midis autorit Kristaq Balla dhe të plagosurit Mariglen Koka ka nisur një debat në ambientet e një lokali, pas disa kërcënimeve verbale mes njëri-tjetrit e më pas me fjalë ofenduese. Pas kësaj situate të krijuar brenda lokalit, Balla ka tërhequr përjashta 35-vjeçarin, me të cilin ka nisur një debat edhe më të ashpër që ka përfunduar në grushte, shqelma, e më pas gurë e copa dërrasash në kokë, që i kanë shkaktuar plagë të rënda. Policia është njoftuar menjëherë për ngjarjen dhe ka transportuar në Spitalin Ushtarak të plagosurin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›