KLD, gati rikthimi në Apel i tre gjykatësve të ndëshkuar në 2005
TIRANE - Dekretimi i gjashtë vendeve të reja për gjyqtarë në Apelin e kryeqytetit, do të rikthejë në vendet e mëparshme të punës gjykatësit e ndëshkuar padrejtësisht katër vjet më parë. Janë Edmond Gogo, Fiqirete Mullai dhe Agron Papajani, tre gjyqtarët e Apelit të Tiranës, ndaj të cilëve më 2005-ën u vendos masa disiplinore e uljes në detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë. Por një vit më vonë, Gjykata Kushtetuese do e shfuqizonte si të paligjshme këtë lloj mase disiplinore, duke iu dhënë të drejtë tre gjykatësve, por që gjatë kësaj kohe tre gjykatësve u është dashur të punojnë në Gjykatën e Tiranës, Pogradecit dhe Gramshit, ndërsa vendet e tyre në Apel u zëvendësuan me gjykatës të tjerë. Shfuqizimi i kësaj mase disiplinore shpëtoi nga ulja në detyrë tre gjykatës të tjerë të kësaj gjykate, të cilët ishin propozuar për të njëjtat masa në KLD nga ish-ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Fatmir Xhafa. Ish-ministri Xhafa pohoi atëherë se tre gjykatësit ishin gjetur me shkelje gjatë ushtrimit të detyrës dhe se masa ndëshkimore ndaj tyre duhet të ishte ulje në detyrë në një Gjykatë të Shkallës së Parë. Për tre vjet me radhë, KLD-ja nuk ka mundur t'i rikthente në detyrë gjykatësit e Apelit, ndërsa tashmë veç kësaj, duhet t'iu paguajë edhe shtesat në rrogë, çka tre gjykatësit e kanë fituar nëpërmjet një procesi në Gjykatën e Tiranës. Ndërkohë burime nga KLD-ja pohojnë se në mbledhjen e ardhshme të këtij institucioni pritet të diskutohet çështja e tre gjykatësve të ulur në detyrë katër vite më parë. Gjatë kësaj kohe, prej katër vitesh, gjykatësit Papajani, Gogo dhe Mullai kanë fituar disa procese gjyqësore ndaj KLD-së, por ka qenë e vështirë rikthimi i tyre në vendet e punës për shkak të mungesës së vendeve në Apelin e Tiranës. Tashmë që veç të tjerash tre gjykatësit disponojnë edhe disa vendime gjyqësore në favor të tyre, i kanë paraqitur KLD-së kërkesën për rikthimin në vendet e punës, në zbatim të këtyre vendimeve gjyqësore. Prej disa vitesh emrat e tre gjykatësve qëndrojnë në pritje të riemërimit, ndërsa KLD-ja gjatë kësaj kohe nuk ka përcaktuar në rendin e ditës diskutimin për rikthimin në Apel të tre gjyqtarëve të Faktit. fa.ma.