Itali, policia liron shqiptarin e marrë peng për 50 mijë euro
ITALI - Një 47-vjeçar shqiptar, i cili ishte marrë peng nga dy persona, që prej mbrëmjes të së enjtes, është liruar nga policia italiane në orët e vona të së premtes. Menjëherë pasi ka marrë denoncimin e familjarëve të shqiptarit të rrëmbyer, policia italiane e Ravenës në bashkëpunim me Drejtorinë e Antimafias së Bolonjës ka nisur një aksion blic për lirimin e tij si dhe kapjen e autorëve. Pa kaluar 24 orë nga momenti që ai ishte rrëmbyer, policia ka zbuluar vendndodhjen e tij dhe e ka liruar. Ndërsa operacioni ka vazhduar deri në arrestimin e autorëve të pengmarrjes. Agjencia italiane e lajmeve bën të ditur se shqiptari 47-vjeçar ishte marrë peng të enjten në mbrëmje dhe ishte mbajtur i mbyllur në një kapanon të "Porto Fuoris", në hyrje të qytetit të Ravenës. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen të dhënave nga policia, gjatë operacionit të lirimit të pengut, mbrëmjen e së premtes janë arrestuar dy rrëmbyesit, njëri prej tyre shqiptar, 29 vjeç dhe tjetri me shtetësi italiane, 45 vjeç nga Matera, të dy me precedentë penalë në Ravena. Agjencia e lajmeve "ANSA" shkruan se pengmarrja ishte mbajtur sekret dhe për lirimin e 47-vjeçarit rrëmbyesit u kishin kërkuar familjarëve 90 mijë euro. Më pas shuma ishte zvogëluar në 50 mijë euro. Këtë detaj familjarët e pengut e kishin sqaruar edhe në denoncimin që kishin bërë në polici, menjëherë sapo pengmarrësit i kishin kërkuar paratë në këmbim të të afërmit të tyre. Media italiane nuk ka bërë të ditur emrin e personit të rrëmbyer, si dhe të dy pengmarrësve, ndërsa policia është në kërkim të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, si dhe të motiveve të saj. Policia e Ravenës pritet të japë detaje të pengmarrjes në një konferencë për shtyp që do të organizojë në përfundim të operacionit. Mësohet gjithashtu se policia ka marrë në pyetje edhe 47-vjeçarin shqiptar që ishte rrëmbyer nga dy personat e arrestuar, i cili pritet të tregojë detaje të tjera të rëndësishme për persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.