E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë- Shqipëri, marreveshje për goditjen e trafiqeve dhe krimit



Laureta Rryçi
Shumë banda që vjedhin makina, apo dhjetëra persona në kërkim që fshihen mes Shqipërisë dhe Kosovës duket se do iu vihen prangat. Krerët e lartë të policisë së dy vendeve kanë rëndë dakord dje zyrtarisht për të dhënë informacione të përbashkëta në goditjen e krimit. Po kështu goditja e linjave të ndryshme të trafikut do të kalojë shumë shpjet në punën prioritare mes Policisë së Shtetit të vendit tonë me autoritetet që garantojnë sigurinë në Kosovë.
Policia e Shtetit Shqiptar dhe KFOR-i në Kosovë nënshkruan dje një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi për menaxhimin dhe kontrollin kufitar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur për gazetën “Albania”, se marrëveshja është firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi dhe Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Xavier de Marnhac, gjatë një takimi që patën mesditën e djeshme në mjediset e kësaj Drejtorie.
Marrëveshja
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Prençi dhe Komandanti i KFOR-it, Gjeneral De Marnhac, e cilësuan një hap historik nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Policisë Shqiptare dhe KFOR-it. Gjatë fjalës së tij, Prençi duke falënderuar Gjeneralin de Marnhac për bashkëpunimin e vazhdueshëm e mjaft efikas, vuri në dukje faktin se vënia në zbatim e kësaj marrëveshjeje do të ndikojë në ndërtimin e marrëdhënieve më cilësore në bashkëpunimin kufitar Shqipëri-Kosovë. Nga ana tjetër, Komandanti i KFOR-it e vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si një tregues të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet Shqipërisë dhe KFOR-it lidhur me sigurinë e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Operacionet
Marrëveshja teknike mbi procedurat e Përkohshme Operuese ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe KFOR-it është një dokument që rregullon marrëdhëniet operacionale ndërmjet KFOR-it dhe Policisë Shqiptare përgjatë kufirit. Qëllimi i saj është vendosja e procedurave të efektshme për bashkëpunimin, koordinimin e veprimeve dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet Policisë Kufitare të Shqipërisë dhe KFOR-it, me synim menaxhimin e kontrollin sa më mirë të kufirit. Ky dokument është hartuar duke patur parasysh eksperiencën e fituar nga patrullat e përbashkëta përreth kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›