E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburanti për serat bujqësore, ja si do të rimbursohet



Qeveria shqiptare ka miratuar dje kriteret dhe masën e kompensimit të akcizës së karburantit të serave me ngrohje. Skema e rimbursimit do të jetë proporcionale. Tre vitet e para rimbursimi bëhet në masën 100 për qind të akcizës së konsumuar për nevoja të prodhimit, në vitin e katërt rimbursimi bëhet në masën 80 për qind dhe në vitin e pestë në masën 50 për qind të kësaj akcize. Vlera e akcizës së lëndëve djegëse, solar, mazut, gazoil (diezel), të konsumuara në furrat e bukës, gjatë procesit të pjekjes, në përputhje me sasinë e produktit final, të shitur me faturë TVSH-je, rimbursohet. “Çdo person juridik, vendas ose i huaj, për lëndët djegëse (solar dhe mazut), të konsumuara në serrat me ngrohje, për të prodhuar produkte industriale (për furrat e bukës, solar, mazut dhe naftë) dhe agroindustriale, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë, duhet të paraqesin pranë degëve të tatimeve ku janë regjistruar kartën teknologjike, ku të shënohen; lloji i lëndës djegëse, të përdorur në procesin teknologjik; fazat në procesin teknologjik, ku përdoret lënda djegëse; lloji i kaldajës apo i furrës, ku përdoret lënda djegëse dhe lidhja me procesin teknologjik, gjatë prodhimit të produktit; sasia e lëndës djegëse e përdorur për 100 kg (litra ose copë) produkt të gatshëm (final)”, - shkruhet në vendimin e qeverisë. Sipas këtij vendimi, subjektet që kërkojnë rimbursimin e akcizës së lëndëve djegëse (solar dhe mazut), të përdorura në serrat me ngrohje, në proceset teknologjike, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, duhet t’i kenë të konfirmuara (certifikuara) nga një institucion i njohur, që ka aftësinë teknike të konfirmimit të kartave teknologjike, si Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Instituti i Materialeve të Ndërtimit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve, Drejtoria e Patentave dhe Markave, institucione, që miratojnë kartat e ndryshme teknologjike, apo çdo institucion tjetër, që ka aftësitë dhe lidhet me proceset teknologjike të produkteve, që përdorin këto lëndë djegëse. ”Degët e tatimeve, pas paraqitjes të së dhënave të kërkuara nga çdo person, sipas pikave 2 e 3, të këtij vendimi, si dhe pas paraqitjes së faturave tatimore me TVSH, për shitjet e produktit final, kryejnë rimbursimin e akcizës për lëndën djegëse të përdorur. Vlera e rimbursimit të akcizës, për lëndën djegëse të përdorur, është vlera që del nga sasia faktike e produktit final, të shitur (me faturë tatimore me TVSH), dhe shkalla tatimore, e miratuar sipas shtojcës 1, të Ligjit Nr.8976, datë 12.12.2002, ‘Për akcizat’, të ndryshuar. Shtojca 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi shërben si tabelë referuese për normativat e harxhimit të lëndës djegëse, për disa nga industritë, objekte të këtij vendimi”, - përcaktohet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Rimbursimi i akcizës së lëndëve djegëse, të konsumuara në serat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, do të bëhet nga degët e tatimeve brenda 45 ditëve pas paraqitjes së kërkesës nga personi, që kërkon rimbursim.

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›